foto: ATSH
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, priti në një takim homologun bullgar, Evtim Miloshev, me të cilin shkëmbyen përvoja dhe u vlerësuan mundësi bashkëpunimi mes dy vendeve për të forcuar projektet në rajon për turizmin.
Gjatë takimit, Kumbaro dhe Miloshev nënshkruan një plan të përbashkët veprimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit të dy shteteve në fushën e turizmit, shkruan “ATSH”.
Temë e takimit ishte edhe përpjekja për rivendosjen e linjës ajrore direkte mes Tiranës dhe Sofjes.
Ministrja Kumbaro u shpreh se forcimi i bashkëpunimit për krijimin e itinerareve të përbashkëta rrit vlerën e të dy vendeve për turistët që vijnë nga larg.
“Është mirë që tregjet tona t’i hapim dhe të krijojmë harta të përbashkëta turistike. Veçanërisht për destinacionet e largëta është në interesin e të dy vendeve tona, por edhe vendeve të tjera fqinje me ne, që të krijojmë itinerare të përbashkëta. Ky ishte edhe qëllimi i planit të veprimit që ne nënshkruam, me qëllim që turistët që vijnë nga Azia apo nga Amerika, kur vijnë në Bullgari të vizitojnë edhe Shqipërinë dhe anasjelltas. Sot turizmi nuk është thjesht treg, ekonomi dhe industri, por është mbi të gjitha emancipim dhe integrim”,- u shpreh ministrja Kumbaro.
Gjatë takimit, Miloshev vlerësoi maksimalisht performancën e Shqipërisë në turizëm, e cila konfirmohet edhe nga barometri i Organizatës Botërore të Turizmit.
Ministri Miloshev u shpreh se një bashkëpunim i tillë krijon një vlerë të shtuar mes dy vendeve, duke dhënë një shembull të mirë në Ballkan, si dhe duke zhvilluar ekonomitë përmes turizmit.