foto: ATSH
Mbi 80 fitues amerikanë të çmimit “Nobel” për Fizikë, Kimi, Mjekësi dhe Ekonomi kanë nënshkruar një letër në mbështetje të zgjedhjes së Kamala Harrisit si presidente të SHBA-së.
“Ne po përballemi me një zgjedhje me pasojat më të mëdha për të ardhmen e shkencës dhe të Shteteve të Bashkuara”,- paralajmëruan 82 fituesit e çmimit “Nobel” që nënshkruan letrën e hapur të publikuar nga “New York Times”, shkruan “ATSH”.
Nënshkruesit lavdërojnë Harrisin që kuptoi se si rritja e jashtëzakonshme në standardet dhe jetëgjatësinë gjatë dy shekujve të fundit janë për shkak të përparimeve në shkencë dhe teknologji, ndërsa Donald Trump, nëse zgjidhet, sipas tyre, do të rrezikonte çdo avancim të standardeve të jetesës, do të ngadalësonte përparimet në shkencë dhe teknologji dhe do të pengonte reagimin e tyre ndaj ndryshimeve klimaterike.
Teksti i ideuar nga ekonomisti Joseph Stiglitz është nënshkruar, ndër të tjera, nga Gary Ruvkun, David Baker, John Hopfield dhe Daron Acemoglu, të gjithë fitues të çmimeve “Nobel” në Mjekësi, Kimi, Fizikë dhe Ekonomi respektivisht në javët e fundit.
Stiglitz, profesor në “Columbia University” dhe fitues i çmimit “Nobel” në vitin 2001, shpjegoi se ai u shty për të ndërmarrë këtë iniciativë nga shkurtimet e mëdha në buxhetet e shkencës të propozuara gjatë ish-presidencës Trump dhe nga qëndrimi i ish-presidentit, i cili, sipas mendimit të tij, është antishkencë dhe antiuniversitare.