Selvete Terstena është këngëtare e njohur e muzikës së mirëfilltë popullore nga Kosova. Ajo ka një karrierë të gjatë muzikore, ku shkëlqimin si këngëtare e arriti në fund të viteve 70-të e tutje kur ishte aktive me muzikë live në mbrëmjet muzikore të kohës. Selvete jeton prej 30 vitesh në Heidelberg të Gjermanisë, ku në vitet e para në emigrim ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme në Europë dhe në vendlindje. Në titin 2000 Selvetja u largua nga skena, për t’u rikthyer pas 20 vitesh me këngën "Me jetu pa ty". Gjithashtu ajo ka mjaft inçizime këngësh në Radio Prishtina, të cilat kanë mbetur dhe sot të pëlqyeshme për artdashësit e saj. Në një intervistë për Radio Ejani, Selvete Terstena tregon për karrierën e saj muzikore dhe projektet në vazhdim.
CMG: Përshëndetje Znj.Terstena dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Bio Folk.
Selvete Terstena: Përshëndetje ju dhe dëgjuesit tuaj. Jam shumë e emocionuar, sepse për herë të parë kam një kontakt të shumëpritur me dekada, që të jem pjesë e një emisioni në Shqipëri.
CMG: Flasim për fillimet tuaja me muzikën popullore shqiptare?
Selvete Terstena: Fillimet e mia në muzikën popullore ishin fare të rastësishme. Ato kishin lindur bashkë me mua, për të filluar në një moshë shumë të re me një këmbëngulje, ashtu si ajo lind bashkë me ty. Muzika ka lindur me mua dhe nuk më ka lënë të rri. Filllimet e mia i kam që në klasën e pestë të shkollës fillore, dhe ishte mësuesi i muzikës Xhevad Korllaku i cili më zbuloi si talent dhe për mua ka qenë fat shumë i madh.
CMG: Këngën e ke trashëguar nga dikush tjetër në familjen tuaj?
Selvete Terstena: Patjetër që po, sepse babain e kishim këngëtar rapsod, i cili përveç zërit gëzonte edhe dhuntinë e interpretimit në sharki, çifteli dhe lahutë.
CMG: Ndër vite ke realizuar shumë albume muzikore, por cilat mbeten këngët më të dashura, që edhe sot i këndon me ëndje?
Selvete Terstena: Inçizimet e mia të para ishin në radio. Ato ishin këngë të interpretuara nga këngëtarë të mëdhenj të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët me kënaqësi i dëgjoja, duke i admiruar për interpretimin. Kam mësuar shumë nga ata, dhe dua të veçoj se kam dëgjuar më shumë Fitnete Rexhën, Hafsa Zyberin, Bik Ndojën, Nexhmije Pagarushën, Ismet Pejën dhe Qamilin e Vogël. Pra, janë këta këngëtarë idhujt e mi, sepse i kam dëgjuar për të mësuar më të bukurat prej tyre.
CMG: Ke bërë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?
Selvete Terstena: Kam patur një ose dy bashkëpunime, ku një bashkëpunim e kam pasur me këngëtarin e madh të Kosovës Adem Ejupin, kemi kënduar këngën “Sa e ëmbël vjollcë më je”, një këngë shumë e bukur e Shqipërisë që unë e kam përzemër.
CMG: Sipas jush ku është muzika popullore sot, a e pëlqen rinia këngën popullore?
Selvete Terstena: Në dekadën e fundit ka ndryshuar shumë muzika, dhe nuk është ajo që ka qenë. Këtu flas për Kosovën, por dhe në Shqipëri kur dëgjoj këngë popullore të publikuara në YouTube, apo programe televizive mua nuk më kënaqin. Mendoj se kemi lënë anash këngën e bukur qytetare popullore, sepse i kemi ngatërruar pak me dasmat dhe ahengjet. Unë jam këngëtare e koncerteve, sepse kam kënduar live në dasma e gjithandej. Mirëpo kudo që kam kënduar, e kam zgjedhur këngën dhe ja kam dedikuar këngën atmosferës. Kështu që kam patur repertor të gjerë, që kam ditur t’i sistemoj ku dhe kur duhet t’i këndoj. Këtë gjë e kam pasur primare.
CMG: A e ka trëshëguar ndonjëri nga fëmijët tuaj talentin për muzikën?
Selvete Terstena: E kanë trashëguar, por si duket Zoti dashurinë e madhe nuk ju ka falë. Mua përveçse më ka pasuruar me këtë zë, por më ka faluar dhe dashurinë shumë të madhe për këngët. Kjo më ka mbajtur deri tani dhe vazhdon të më mbajë akoma. Ndërsa fëmijët e mi përderisa vetë nuk kanë dashur të vrapojnë pas këngës, unë nuk i kam shtyrë shumë sepse nuk është profesion i lehtë. Kërkon punë, sakrificë, por ka dhe dhimbje. Këtë gjë e dinë dhe kolegët e mi me të cilët kam bashkëpunaur, me Raif Hysenin dhe Merita Halilin. Kemi patur fatin të takohemi edhe tani që ata janë martuar.
Unë me Raifin kam kënduar shumë, për herë të parë që e dëgjova u mahnita kur ka kapur fizarmonikën. Kështu që prej asaj dite kemi punuar shumë gjatë bashkë. Pastaj edhe pas bashkimit të dashurisë së tyre me Meritën ne jemi bërë më shumë miq, por dhe si artistë i admiroj. Kam mësuar shumë gjëra prej tyre dhe ndjehem shumë e nderuar nga ajo që flasin ata për mua.
CMG: Prej disa vitesh jeton në Gjermani. Sa të organizuar janë bashkëatdhetarët tanë aty?
Selvete Terstena: Kur kam ardhë këtu nuk kam njohur njerëz. Jetoj prej 30 vitesh në Hajdelberg, një qytet i bukur universitar, që më nxjerr shpesh mallin e Prizrenit. Këtu u formua një grup studentësh, ku me iniciativën e tyre më ftojnë dhe mua në atë grup, për të inicuar punën e një shoqërie kulturore-artistike të quajtur “Dardania” në Hajdelberg. Unë punova shumë aty dhe kontribuova mjaft, mblodha dhe fëmijët.
Unë kam vallëzuar dhe në asnamblin kombëtar “Shota” të Kosovës. Pra, i kam të dyja anët, edhe vallëzimin dhe këngën. Pastaj pyeta koreografin e mirënjohur të anasamblit “Shota” nëse mund të merrja një iniciativë për të punuar me fëmijët e një ansambli në Gjermani. Unë i thashë se si valltare dua të ndihmoj brezat që kanë ardhur këtu, por dhe ata që kanë lindur në Gjermani. Atëhere, Xhemali Berisha mu përgjigj shumë pozitivisht për këtë iniciativë timen. Kam punuar një kohë të gjatë me këta fëmijë, por ajo shoqatë u mbyll dhe mbetën këta fëmijë pa kujdesin e askujt, sepse u mbyllën të gjitha aktivitetet. Kam filluar të publikoj fotografitë me fëmijët, për të inkujaruar dhe të tjerët që të fillojnë përsëri.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore?
Selvete Terstena: Kohët e fundit kam realizuar tre këngë të reja.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese.
Selvete Terstena: Ju falenderoj nga zemra, dhe dua që zëri im nëpëmrjet këtij emisioni të dëgjohet dhe në Shqipëri. Unë e kam pikë në zemër njëherë në jetën time të këndoj në ndonjë koncert në Shqipëri.