Rregullorja e re e menaxhimit të plazheve, Duro: Lirohen rreth 675 parcela
2024-10-26 16:11:45

foto: ATSH

foto: ATSH

Paketa e dedikuar e përmirësimeve ligjore për menaxhimin e plazheve, sipas Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, reflekton disa ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me një qasje dhe ofertë gjithëpërfshirëse.

Drejtoresha e përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro, deklaroi për “ATSH”-në se sipas ndryshimeve ligjore që po përgatiten për rregulloren e re të menaxhimit të plazheve lirohen rreth 675 parcela plazhesh, si dhe do të sanksionohet me ligj që në çdo 1000 metra, 300 metra do të jenë detyrimisht publike.

“Kjo sipërfaqe gjithmonë do të jetë më e madhe pasi vetëm hotelet do të jenë në gjendje të menaxhojnë përkohësisht parcelat e plazheve në proporcion me kapacitetin e dhomave që ofrojnë”, - theksoi Duro.

Sipas saj, Shqipëria nuk ofron më vetëm diellin dhe plazhin si produkte turistike kryesore, por edhe turizmin natyror, kulturor, kulinarinë, festat lokale, që kanë krijuar një model të ri të shfrytëzimit të plazheve.

“Ky model i shfrytëzimit të plazheve do të fokusohet tek e drejta për të shfrytëzuar më shumë hapësira publike ose me një kosto minimale të menaxhuar nga bashkitë, me parimin kryesor se shezlongët nuk mund të jenë model biznesi në vetvete, por duhen parë vetëm si një aksesor shtesë i strukturave akomoduese”,- theksoi Duro.

Gjithashtu, vijoi Duro, me rregulloren e re do të forcohen më shumë rregullat e transparencës së çmimeve, së bashku me përgjegjësi të shtuara për pushtetin lokal sa i takon administrimit të territorit dhe pastërtisë.