INSTAT: Familjet shqiptare shpenzuan 467 milionë euro për shëndetin në vitin 2023
2024-10-26 15:29:31

foto: Panorama

Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin janë duke u rritur vit pas viti. Të dhënat e INSTAT-it, mbi konsumin final të familjeve në vitin 2023 tregojnë se shpenzimet për shëndetin arritën një vlerë prej 46.7 miliardë lekësh ose 467 milionë eurosh, me rritje rreth 64% në krahasim me vitin 2020 kur shpërtheu pandemia Covid-19.

Në 6 vitet e fundit, shpenzimet mesatare për shëndetin kanë rezultuar mbi 34 miliardë lekë në vit, por në vitin 2020 ato u ulën për shkak të masave të izolimit dhe shtyrjes së ekzaminimeve dhe trajtimeve për diagnozat që nuk kishin të bënin me Covid-19, shkruan “Panorama”. Teksa popullsia e vendit po tkurret, shpenzimet e familjeve për shëndetin po rriten.

Ekspertët pohojnë se një seri faktorësh po çojnë në rritjen e shpenzimeve për shëndetin, por themelori është rritja e barrës së sëmundjeve në popullatë. Ndotja e lartë e ajrit, jeta sedentare, kequshqyerja po ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve jo të transmetueshme. Nga ana tjetër, plakja e popullsisë rrit gjithnjë e më shumë nevojën për shërbime shëndetësore.

Studimet e mëparshme kanë treguar se popullsia mbi 65 vjeç vuan nga më shumë se dy sëmundje kronike. Diabeti dhe sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut janë shndërruar në pandemi.

Të dhënat nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore tregojnë se barra e sëmundjeve kronike në popullatë po shënon rritje mesatare vjetore me 5%.