Mbi 1.1 milionë turistë të huaj në shtator
2024-10-26 16:10:43

foto: ATSH

foto: ATSH

Afro 9.7 milionë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë 9 muajve të këtij viti. Instituti i Statistikave, INSTAT, publikoi raportin e lëvizjes së shtetasve sipas të cilit numri i të huajve që hynë në Shqipëri gjatë periudhës janar-shtator arriti në 9.680.030 shtetas, ose 16.7% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në mbi 90% të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, shkruan “ATSH”.

Mbi 9.2 milionë shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë ishin nga Europa, rreth 260 mijë ishin shtetas amerikanë dhe mbi 77 mijë ishin nga Azia Lindore dhe Paqësori.

Ndërkohë, shifrat tregojnë trendin drejt një turizmi gjithëvjetor. Vetëm në shtator, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.146.090, ose 3.8% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.