Manastirliu: Gati dokumenti për modernizimin e kornizës kurrikulare
2024-10-26 15:31:07

foto: ATSH

foto: ATSH

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se është gati dokumenti për modernizimin e kornizës kurrikulare të arsimit paraunivesitar.

Nga Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, ministrja Manastirliu tha se ky është një dokument i hartuar dhe punuar nga grupi i ekspertëve të fushës me fokus përgatitjen e nxënësve në përgjigje të zhvillimeve dhe kërkesave të shoqërisë si edhe arsimit të shekullit XXI, citon “RTSH”.

“Tashmë jemi në finalizim të modernizimit të kornizës kurrikulare, një dokument i cili orienton vëmendjen drejt sfidave të kohës, përafron kornizën kurrikulare me modelet më të mira në vendet e zhvilluara, vendos kompetenca të reja që duhet të marrin nxënësit, por edhe në funksion të mësuesit që do të duhet të kenë të gjithë ekspertizën e tyre përmes edukimit në vazhdim për t’i transmetuar te nxënësit njohuritë në mënyrë sa më të mirë, por edhe me metoda moderne dhe inovatore duke përdorur platforma digjitale”, - nënvizoi ministrja Manastirliu.

Përditësimi i kornizës kurrikulare të arsimit parauniversitar dhe kurrikulave bërthamë sjell nevojën e një përditësimi të programeve lëndore me fokus në kompetencat kyçe gjuhësore, matematikore dhe digjitale.

“Sa u përket teksteve, kemi nevojë t'i dedikojmë akoma më shumë rëndësi programeve lëndore dhe kurrikulës bërthamë sa i përket gjuhës shqipe, matematikës, aftësive digjitale pra TIK-ut dhe sigurisht shkencave”,- tha ministrja Manastirliu.

Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar me përfaqësues nga arsimi parauniversitar, prindër, sindikata, përfaqësues të arsimit të lartë kanë vlerësuar pozitivisht ndryshimet e propozuara për modernizimin e kornizës kurrikulare.