Hasani në OKB: Shqipëria, hapa të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe në promovimin e barazisë gjinore
2024-10-26 15:16:11

foto: ATSH

foto: ATSH

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së “Gratë që ndërtojnë paqen në një mjedis të ndryshuar”.

Në fjalën e tij, Hasani tha se investimi në iniciativat e paqes dhe sigurisë së grave është përparësi e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Sipas ministrit Hasani, investimi ne axhendën e paqes dhe sigurisë së grave ndikon drejtpërdrejt në paqen e qëndrueshme, sigurinë ndërkombëtare dhe në stabilitetin ekonomik, citon “ATSH”.

“Ndërsa i afrohemi 25-vjetorit të rezolutës historike 1325, axhenda e paqes dhe sigurisë së grave ka marrë rëndësi parësore në diskutimet globale. Në veçanti, gjysma e vendeve anëtare të OKB-së tani po zbatojnë në mënyrë aktive planveprimin, që reflekton angazhimin e vazhdueshëm për veprime konkrete në zbatimin e axhendës së paqes dhe sigurisë së grave”,- u shpreh Hasani.

“Ky progres është i rëndësishëm për të siguruar që zëri dhe përvojat e grave të jenë thelbësore në proceset e paqes dhe të vendimmarrjes në të gjitha nivelet. Por pavarësisht gjithë këtyre avancimeve, një hendek i vazhdueshëm ekziston për sa i takon zbatimit, veçanërisht për sa i takon përfshirjes së grave në vendimmarrjen për paqen dhe sigurinë”,- theksoi më tej ministri.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mosrespektimi i të drejtave të grave, që përbën rrezik të ndjeshëm ndaj progresit të bërë deri sot. Ne kemi nevojë për ndërtues të paqes. Gazetarët dhe drejtuesit e shoqërisë civile në veçanti përballen me kërcënime të dhunës, madje edhe të zhdukjes me forcë. Luftërat nëpër botë po ndikojnë në përkeqësimin e këtyre realiteteve negative”, - nënvizoi Hasani.

Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria ka bërë  hapa të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe në promovimin e barazisë gjinore.

“Qeveria mbetet e vendosur për rritjen e përfshirjes së grave në jetën publike. Në bashkëpunim me “UN Women”, Shqipëria ka integruar buxhetim të përgjegjshëm gjinor në nivel qendror dhe lokal”,- tha ai.

Hasani u shpreh se Shqipëria aktualisht po harton planin e dytë kombëtar të veprimit për paqen dhe sigurinë e grave.