Foto nga VCG
Vitet e fundit, vendet e BRICS-it i kanë bërë gjithnjë e më të ngushta lidhjet e tyre ekonomike dhe tregtare. Përveç sektorëve tradicionalë të ekonomisë, si industria e bujqësia, edhe në sektorin financiar vendet e këtij grupi e kanë thelluar bashkëpunimin ndërmjet tyre, çka ka zgjeruar në mënyrë efektive kanalin e financimeve për ekonomitë e reja.
Studiuesi i lartë i Institutit Kërkimor të Bankës së Kinës, Wang Youxin, u shpreh që vendet e BRICS-it ndodhen në faza të ndryshme industrializimi dhe kjo veçanti ka krijuar kushte të përshtatshme për transferimin industrial, zgjerimin e tregjeve dhe bashkëpunimin në zinxhirin e prodhimit brenda vendeve të BRICS-it.
Në Samitin e 16-të të BRICS-it, që u zhvillua më 22-24 tetor në Rusi, u publikua Deklarata e Kazanit, ku është vënë në dukje rëndësia e bashkëpunimit shumëpalësh në ekonomi, tregti dhe financë.
Foto nga Xinhua
Në këtë deklaratë u ritheksua që palët do të përpiqen për shtimin e koordinimit të politikave makroekonomike, për thellimin e bashkëpunimit ekonomik e për nxitjen e një mëkëmbjeje ekonomike të fuqishme, të vazhdueshme, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse. Palët bënë thirrje që ekonomitë e zhvilluara duhet të zbatojnë premtimet për zhvillim e financim dhe të zhvillojnë bashkëpunim me ekonomitë e reja dhe vendet në zhvillim në fushën e tatim-taksave, tregtisë, ndihmës për zhvillim, transferimit teknologjik dhe reformës në strukturën financiare ndërkombëtare.
Palët në këtë takim kanë theksuar që duhet medoemos të reformohet struktura e tanishme ndërkombëtare financiare, për një kornizë më gjithëpërfshirëse e më të barabartë, duke zgjidhur në mënyrë më të gjithanshme dhe më të përshtatshme çështjen e borxhit ndërkombëtar.
Banka e Re e Zhvillimit, që njihet si banka e BRICS-it, është një temë kyçe për sa i përket bashkëpunimit të BRICS-it. Sipas të dhënave përkatëse, deri më tani Banka ka miratuar mbi 100 projekte, me vlerë të përgjithshme mbi 34 miliardë dollarë amerikanë, duke ofruar mbështetje të fuqishme për zgjerimin e kanaleve të financimit të ekonomive të reja dhe të vendeve në zhvillim.
Foto nga VCG
Palët u shprehën që do ta mbështesin këtë bankë në zbatimin e strategjisë së përgjithshme për periudhën 2022-2026 e në financimin me monedhat kombëtare të vendeve anëtare, dhe ranë dakord që ta shndërrojnë atë në një bankë zhvillimi shumëpalëshe të tipit të ri të shekullit XXI.
Përveç mbështetjes për bankën e BRICS-it, palët kanë shprehur inkurajimin e tyre për shtimin e bashkëpunimit financiar dhe për nxitjen e pagesave me monedhat e tyre kombëtare. Si një synim të përbashkët, palët kanë rënë dakord që ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të BRICS-it të vazhdojnë studimin mbi bashkëpunimin, pagesat dhe platformat financiare me monedhat kombëtare, duke paraqitur një raport në këtë drejtim brenda mandatit të vendit kryetar të radhës të ardhshëm.
Kina është një nga vendet nismëtare të mekanizmit të BRICS-it dhe, si ekonomia e 2-të e botës, ajo e ka vënë theksin që vendet e BRICS-it duhet të kërkojnë bashkërisht një rrugë zhvillimi dhe të zbatojnë një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës dhe me përfitime të ndërsjella, duke ndjekur rrugën e zhvillimit të përbashkët.
Në fjalimin e rastit në Samitin e 16-të të BRICS-it, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping theksoi që vendet e BRICS-it duhet të konsolidojnë bazën e bashkëpunimit, të thellojnë bashkëpunimin si në sektorët tradicionalë, ashtu edhe në sektorët e rinj, si zhvillimi i gjelbër e inteligjenca artificiale, duke ruajtur sigurinë e tregtisë, investimeve dhe financimeve.
Për sa i përket zhvillimit të ardhshëm të BRICS-it, kreu i shtetit kinez Xi Jinping paraqiti propozimet e tij, një prej të cilave është edhe përqendrimi te zhvillimi inovativ dhe i gjelbër.
Foto nga Xinhua
“Duhet të ndërtojmë një ‘BRICS inovativ’ dhe të bëhemi pionierë të zhvillimit me cilësi të lartë. Kina kohët e fundit ka krijuar qendrën e zhvillimit dhe bashkëpunimit të inteligjencës artificiale Kinë-BRICS, do të krijojë qendrat e bashkëpunimit për burimet e thellësive detare të vendeve të BRICS-it, zonat e posaçme ekonomike dhe të kapaciteteve industriale, si edhe rrjetin e bashkëpunimit të sektorit digjital. Kina mirëpret pjesëmarrjen e palëve të ndryshme,” u shpreh kryetari Xi.
Sipas tij, Kina është e gatshme të krijojë një gjendje të re me zhvillim cilësor të bashkëpunimit në kuadër të “BRICS-it të madh” dhe të nxitë ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit. (Jiang Lei)