Hapi dyert në Tiranë Kampusi i Kolegjit të Europës
2024-10-25 10:07:16

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Hapi dyert në Tiranë kampusi i Kolegjit të Europës, i pari kampus jashtë vendeve të Bashkimit Europian, i cili krijon mundësinë për një mësim më të thelluar për vetë BE-në dhe rrugëtimin drejt tij.

Rektorja e Kolegjit të Europës në Tiranë, Federica Mogherini, deklaroi se ndihet shumë krenare për hapjen e këtij kolegji, duke e cilësuar një arritje historike, shkruan “ATSH”.

“Studentët ndihen tashmë qytetarë të Tiranës, të këtij qyteti mbresëlënës. Vendimet tona u miratuan në mënyrë unanime. BE-ja dhe Kolegji i Europës është shumë krenar të jetë pjesë e kësaj.

Dua të falënderoj stafin pedagogjik, personelin që ka punuar ditë e natë, por mbi të gjitha studentët që aplikuan mbi një program që ende nuk ekzistonte. Besuan te diçka që dukej gati e pamundur një vit më parë, por punuam fort dhe nuk hoqëm dorë nga përballja me sfidat. Tashmë mund të përgëzojmë një arritje për Kolegjin dhe për Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Mogherini.

Mogherini shtoi se Kolegji do të jetë edhe për vitet në vijim për të përgatitur edhe diçka më historike, ribashkimin e kontinentit.

“Është historike të përurosh një kampus pas Bryzhit. Por një nga gjërat më të rëndësishme është ndoshta fakti që në momentin që Kolegji hap kampusin do të qëndrojë këtu këtë vit. Kremtuam 75 vjet, së paku për 75 vitet në vijim Kolegji do të jetë këtu për të përgatitur edhe diçka më historike, ribashkimin e kontinentit tonë dhe besoj se kjo do të ndodhë. Jam shumë krenare dhe e emocionuar dhe mendoj se me këtë mund të nisim kremtimet tona”, u shpreh Mogherini.

E pranishme në ceremoninë e hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se studentët e këtij kampusi do të jenë udhëheqësit e Europës së sotme dhe të ardhme.

Ajo cilësoi këtë nismë një fillim të ri për të gjithë, me miq të rinj, një qytet i ri, ëndrra të reja, ndërsa ceremoninë e cilësoi shumë më shumë sesa thjesht fillimi i një viti të ri akademik në një kampus të ri, sepse, sipas saj, Kolegji i Europës është shumë më shumë sesa një universitet i thjeshtë.

“Kur kontinenti europian ishte shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore, një grup pionierësh europianë krijuan një ide vizionare, atë të ndërtimit të një akademie për të krijuar udhëheqësit e ardhshëm, një brez të ri për një fillim të ri. Kjo ishte një nga ato tullat e para të integrimit europian, para qymyrgurit e çelikut, e gjitha filloi me një kolegj”,- deklaroi Von der Leyen, duke theksuar se familja europiane po përgatitet të zgjerohet.

“Jemi në një moment historik, pasi familja jonë po përgatitet për ribashkimin e saj, një bashkim në të cilin do të bëhen bashkë të gjithë popujt që jetojnë ndërmjet Detit të Zi dhe Adriatikut”,- deklaroi ajo.

Lidhur me negociatat, von der Leyen tha se nëse do të vijohet me ritme të larta mund të hapen të gjithë grupkapitujt brenda vitit të ardhshëm.