Domate eksporti (Foto Atsh)
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se eksportet bujqësore shënuan 31% rritje në sasi gjatë shtatorit krahasuar me një vit më parë.
Sipas ministres, në shtator të këtij viti pati 23.619 tonë eksporte nga 18.034 tonë shtatorin e një viti më parë, shkruan “ATSH”.
Denaj tha se produktet bujqësore “Made in Albania” po rrisin praninë e tyre në mënyrë të qëndrueshme drejt tregjeve të huaja.
Ajo theksoi se shifrat në trend pozitiv tregojnë një pasqyrë të qartë të rritjes së cilësisë dhe fuqizimit të fermerëve në vend.
Politikat mbështetëse kanë rritur investimet në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të produkteve shqiptare që po rrisin prezencën e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare.
Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajrat esenciale, shalqinj, fruta, peshk të konservuar, etj..