
Foto nga CMG
Deep Blue Aerospace, një startup kinez, bëri me dije planet e tyre të turizmit të hapësirës të enjten, duke njoftuar nisjen e anijes së saj të parë kozmike nën orbitale në vitin 2027.
Dy biletat e para u shitën brenda një kohe të shkurtër mbëmjen e së mërkurës, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në platformën e tregtisë elektronike Taobao.
Udhëtimi suborbital kushton 1.5 milion juanë (afërsisht 210.500 dollarë) për një udhëtim vajtje-ardhje, me një depozitë prej 50.000 juanësh. Një zbritje prej 500.000 juanësh u ofrua për çdo rezervim gjatë eventit. Më shumë bileta do të dalin në shitje muajin e ardhshëm.
Anija kozmike me njerëz, e cila do të lëshohet nga raketa e ripërdorshme e kompanisë Nebula-1, mund të transportojë deri në gjashtë pasagjerë në një lartësi maksimale fluturimi 100 km deri në 150 km.

një transmetimi të drejtpërdrejtë në platformën e tregtisë elektronike Taobao për udhëtimin suborbital/Foto nga Taobao
Gjatë fluturimit suborbital prej rreth 12 minutash, anija do të kalojë vijën Karman, një kufi në një lartësi prej 100 km që ndan atmosferën e Tokës nga hapësira e jashtme. Pasagjerët do të përjetojnë mungesën e gravitetit për të paktën 5 minuta dhe do të ulen të sigurt me një sistem parashutash.
Huo Liang, CEO i Deep Blue Aerospace, deklaroi gjatë transmetimit direkt se raketat e ripërdorshme janë thelbësore për reduktimin e kostove të larta të lëshimit. Falë përparimeve në teknologjinë e raketave të ripërdorshme, çmimi për udhëtimin në hapësirë mund të reduktohet në "qindra mijëra juanë".
Industria tregtare e udhëtimeve hapësinore është ende në fazat e hershme, me kompani si SpaceX, Blue Origin dhe Virgin Galactic që kryesojnë këtë fushë.
Edhe kompani të tjera kineze kanë deklaruar planet e tyre. CAS Space, një kompani raketash me bazë në Pekin, deklaroi në maj se mund të lëshojë anijen e parë të udhëtimit në vitin 2027 duke filluar udhëtimin me njerëz në hapësirë në vitin 2028.(Xu Guang)
