“Smërfët dhe Gargamela” çel sezonin artistik të teatrit për fëmijë
2024-10-25 10:14:33

Aktorja dhe regjisorja Jorida Meta (Foto personale)

Në muajin tetor ka nisur sezoni i ri artistik i Teatrit të Kukullave me shfaqjen për fëmijë “Smërfët dhe Gargamela”, premierën e e së cilës u shfaq në qershor. Shfaqja u ndoq me sukses jo vetëm nga fëmijët e Tiranës, por ishte e pranishme gjatë sezonit të verës edhe pranë fëmijëve në qytete e fshatra të vendit si në Gramsh, Elbasan, Shkodër, Shëngjin, Vlorë, Durrës, Fier, etj. Brenda saj ka mjaft humor, por edhe mesazhe të bukura.  

Ndërsa Teatri i Kukullave në Tiranë është në fazën e fundit të restaurimit, artistët e hapën siparin me shfaqjen “Smërfët dhe Gargamela” në sallën “Tonin Harapi” në Liceun Artistik “Jordan Misja, ku fëmijët e kryeqytetit e kanë ndjekur çdo fundjavë. Edhe shfaqja “Tre Muskëtjerët” mblodhi shumë fëmijë në skenë, duke ndjekur një histori me mjaft aventura e mesazhe të bukura për jetën dhe miqësinë.  Këtë fundjavë më  26 dhe 27 tetor spektatorët e vegjël mund të ndjekin shfaqjen “Shh, mbaje sekret”, në orën 10.30 dhe 11.30. Në intervistë për Radio Ejani aktorja  Jorida Meta, e cila interpreton në rolin e Gargamelës në shfaqjen “Smërfët dhe Gargamela” flet për këtë sezon artistik.

CMG: Prej dy dekadash ke interpretuar në role të ndryshme filmash për të rritur, por je angazhuar edhe me teatrin e fëmijëve. Suksesi i fundit ka qenë një shfaqje mjaft e pëlqyer nga fëmijët "Smërfët dhe Gargamela". Na trego për këtë shfaqje.

Jorida Meta  (Foto personale)

Jorida Meta: "Smërfët dhe Gargamela" është një ndër shfaqjet e reja që kemi realizuar për fëmijë. Është një shfaqje e bukur me mesazhe të bukura e kukulla fantastike, me karaktere shumë të spikatura dhe mund të them se është një ndër sukseset e radhës së Teatrit të Kukullave. 

CMG: Kjo shfaqje ka shëtitur në qytete të ndryshme. Si u pritët në këtë turne?

Jorida Meta: Shfaqja ka shëtitur në shumë vende të Shqipërisë dhe jemi pritur jashtëzakonisht mirë. Fëmijët kanë një entuziazëm të madh. Por jo vetëm kjo shfaqje, të gjitha shfaqjet nëpër qytetet apo fshatrat, fëmijët i prisnin mjaft mire, sepse Teatri i Kukullave  është një specifikë më vete dhe pak e vështirë për t’u realizuar. Fëmijët janë shumë entuziastë sepse e shihnin shfaqjen për herë të parë. Ka shumë qytete të Shqipërisë që nuk kanë një teatër kukullash dhe fëmijët janë të përmalluar, të etur për të parë një shfaqje.

CMG: Sa i njihnin fëmijët personazhet, cili ishte personazhi më i dashur për ta?

Jorida Meta: Personazhi im është Gargamela, antagoniste, por fëmijët e duan sepse ka një interaktivitet të madh dhe i bën ata të jenë pjesë e shfaqjes, jo vetëm si vëzhgues, por edhe si pjesë e lojës së Gargamelës, për të kapur Smërfët. Fëmijët i njohin personazhet tona sepse janë përralla e histori të lexuara, ose që i kanë parë në filmat Disney, janë personazhe shumë të dashur, sidomos pjesa e kukullave që atyre u mungon shumë, pasi është e prekshme. Është tjetër gjë të shohësh kukullat në televizor dhe ta shohësh ‘live’ sepse e bën emocionin të prekshëm, shumë afër tyre.

Jorida Meta (Foto personale)

CMG: Në karrierën artistike 20 vjeçare  ke interpretuar në shumë filma për të rritur, por cilën shfaqje  apo rol do të konsideroje si më të suksesshmin?

Jorida Meta: Kjo është një shfaqja që përtej humorit dhe interaktivitetit, përcjell mesazhe shumë të bukura. Të ndihmojë njëri-tjetrin, të jemi vigjilentë dhe të falin sa më shumë dashuri.

CMG: Më shumë emocion  përcjellin shfaqjet për fëmijë apo për të rritur?

Jorida Meta: Emocioni më i madh është kur luan një shfaqje për fëmijë. Jo se shfaqjet për të rritur nuk të falin emocion, por ato për fëmijë e kanë emocionin direkt. Fëmijët janë shumë bardhë e zi, ose të pëlqejnë ose nuk të pëlqejnë. Ata nuk ta falin duartrokitjen, përqafimin, nëse nuk u pëlqen. Fëmijët janë shumë të drejtëpërdrejtë dhe në momentin që u ke pëlqyer, të duan pa kushte, të pranojnë pa kushte. Ndërsa tek të rriturit, është bukur, por janë pak të distancuar. Të urojnë ndonjëherë thjesht për kortezi, jo se mund t’u kesh pëlqyer, apo të kesh realizuar ndonjë shfaqje vërtetë shumë të bukur.

CMG: Si e sheh karrierën tënde artistike në të ardhmen? Cilat janë planet në vazhdim?

Jorida Meta: Në profesionin tim u bëra 22  vjet pranë Teatrit të Kukullave dhe nuk do ta ndërroja me asnjë profesion tjetër. Filmi është shumë i bukur, teatri është i bukur, por atë emocion që e marr tek shfaqjet për fëmijë, nuk e gjej në asnjë vend tjetër. Filma kam luajtur, realizime shumë të bukura, por nuk do të veçoja asnjë nga personazhet e mi, janë shumë të dashur dhe i kam realizuar me shumë dashuri. Me gjithë ekipet që kemi realizuar filmat kemi punuar fort, me sakrifica shumë të mëdha sepse filmi e kërkon këtë gjë. Mendoj se kemi realizuar dhe kemi dhënë më të mirën tonë.

Jorida Meta në rolin e Gargamelës (Foto personale)

CMG: Faleminderit për intervistën dhe shumë suksese me çdo projekt në vazhdim!

Jorida Meta: Faleminderit juve për intervistën! Eksperienca ime e parë kur kam qenë studente ka qenë në radio dhe sot po e kuptoj se më kishte munguar kjo gjë. Faleminderit! 

 “Smërfët dhe Gargamela”

-Në mes të pyllit më të bukur që është parë ndonjëherë, gjendet fshati i veçantë “Smërf”, ku jetojnë dhe punojnë, duke kënduar e kërcyer, Smërfët e dashur për fëmijët. Mirëpo, vërdallë këtij fshati, sorollatet Gargamela shpirtkeqe, duke shpresuar për t’i kapur dhe, me ç’duket, kësaj radhe e ka gjetur mënyrën se çfarë duhet të bëjë. Ajo lëshon në ajër një porcion magjik për t’i hipnotizuar ata dhe për t’i bërë që të dorëzohen vet brenda tenxheres së Gargamelës. Plani duket se ka sukses, po të mos jetë për Baba Smërfin, i cili e gjen përherë një zgjidhje, dhe për të Frikësuarin, i cili zbulon përherë e më shumë forcën brenda vetes dhe i ndihmon shokët.

Një shfaqje argëtuese dhe me mesazhe të mëdha për fëmijët, të cilët çdo fundjavë po shijojnë aktivitete të ndryshme të Qendrës Kombëtare të Kulturës për fëmijë dhe të Teatrit të Kukullave Tiranë.

Karriera artistike e aktores Jorida Meta

Jorida Meta, është aktore dhe regjisore prej më shumë se dy dekadash, ku puna më e madhe dhe më e dashur për të janë shfaqjet e fëmijëve. Ajo ka studiuar për balet klasik gjatë shkollës së mesme, në vitin 1997, ndërsa studimet e larta i ka kryer për regji teatri pranë Universitetit të Arteve në Tiranë në vitin 2001. Edhe pse i është përkushtuar më së shumti Teatrit të Kukullave dhe fëmijëve, karriera e saj artistike nuk është ndalur vetëm aty. Jorida spikat si aktore karakteresh shumë të dashura për publikun si në film ashtu edhe në teatër si: “Tirana viti zero”, “7 ditë”,“Jeta përmes ujrave”,“Internment”,”Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, etj. Për publikun e teatrit ajo vjen me një sërë rolesh si: “Salome”, “Dyshimi”, “Mbledhje e jashtëzakonshme në parlament”,“Nuk shikoj, nuk dëgjoj, nuk flas”,”Dita më e bukur”, e shumë të tjera. Dashuria e saj më e madhe, ku merr edhe më shumë emocion, janë shfaqet për fëmijë, ku është vlerësuar me disa çmime në festivale ndërkombëtare.

Jorida Meta pas shfaqjes Sërfët dhe Gargamela (Foto personale)

Intervistoi: Sava Lena