Presidenti Begaj takon von der Leyen: Do t’i përgjigjemi aspiratës së shqiptarëve për anëtarësimin në BE
2024-10-25 09:56:15

Begaj-Von der Leyen (Foto Atsh)

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, me të cilën zhvilloi një diskutim të hapur për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, shkruan “ATSH”.

Kreu i shtetit çmoi angazhimin e von der Leyen për të përshpejtuar hapjen e të gjithë kapitujve me Shqipërinë deri në fund të vitit 2025.

Presidenti Begaj shprehu bindjen se Shqipëria dhe institucionet shqiptare do të përmbyllin në kohë dhe me sukses kapitujt themelorë, duke ecur në këtë mënyrë me të njëjtin ritëm me aspiratën e shqiptarëve për anëtarësimin e plotë në BE.

Ai i shprehu mirënjohje presidentes së KE-së për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugëtimin europian, teksa nënvizoi edhe rëndësinë e mesazheve në Samitin e fundit të Berlinit, si dhe miratimin nga BE-ja të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbetet një nxitëse e bashkëpunimit rajonal, duke shprehur bindjen e tij se nuk mund të ketë integrim europian të rajonit pa një integrim ekonomik dhe bashkëpunim proaktiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen vlerësoi angazhimin e presidentit Begaj për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe perspektivën unike që ky integrim ofron për paqen, integrimin ekonomik dhe prosperitetin e rajonit.

Presidenti Begaj përgëzoi presidenten von der Leyen për vendosjen e integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE në krye të përparësive përgjatë mandatit të dytë të saj si presidente e Komisionit Europian.

Një ditë më parë, Ursula Von der Leyen takua me kryeministrin Edi Rama dhe mori pjesë në hapjen e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë.

Vizita e Von der Leyen është pjesë e turit të Ballkanit Perëndimor me fokus paketën e BE-së për rritje dhe reformat në rajon, e cila përfshin ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.