Kina mirëpret bashkëpunimin e qëndrueshëm të Apples me partnerët kinezë
2024-10-25 20:44:20

Ministria e Tregtisë

Ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao shtrëngon duart me CEO të Apple Tim Cook në Pekin të Kinës, më 25 tetor 2024./Ministria e Tregtisë

Ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao u takua të premten në Pekin me Drejtuesin e Apples Tim Cook. Ai deklaroi se gjiganti i teknologjisë është i mirëpritur të mbajë një bashkëpunim të qëndrueshëm me partnerët kinezë, për të arritur një zhvillim të përbashkët.

Gjatë takimit, palët shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e biznesit të Apple në Kinë si dhe për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA. Cook u zotua për një zhvillim afatgjatë dhe rritje të investimeve në Kinë, sipas një njoftimi për shtyp nga Ministria e Tregtisë. 

Duke vënë në dukje se Kina kohët e fundit ka ndërmarrë masa të reja hapjeje dhe hapa të fortë për të adresuar shqetësimet e sipërmarrjeve me investime të huaja, Wang tha se Apple është i mirëpritur të shfrytëzojë mundësitë dhe të vazhdojë të thellojë praninë në tregun kinez.

"Kina do të optimizojë më tej mjedisin e biznesit dhe do të ofrojë shërbime me cilësi të lartë për kompanitë me fonde të huaja," tha Ministri.

Wang theksoi se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Kinë-SHBA, bazuar në përfitime reciproke dhe rezultate të favorshme, i shërben interesave themelore të të dy vendeve dhe vepron si një forcë stabilizuese në marrëdhëniet dypalëshe.

"Përgjithësimi i sigurisë kombëtare është i dëmshëm për shkëmbimet normale ekonomike dhe tregtare," vuri në dukje Wang.

Ai tha se pala kineze është e gatshme të rivendosë zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA, duke u angazhuar në shkëmbime të rregullta qeveri-biznes.

Cook tha se zhvillimi i shpejtë i Kinës, e ndihmon Apple të arrijë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Apple, e cila e konsideron Kinën si një treg të rëndësishëm dhe një partner kyç në zinxhirin e furnizimit, është e përkushtuar ndaj zhvillimit afatgjatë në Kinë, ndaj do të vazhdojë të rrisë investimet në fusha të tilla si zinxhiri i furnizimit, kërkimi dhe zhvillimi, tha ai.

Kjo kompani do të vazhdojë të shërbejë si një urë komunikimi dhe shkëmbimi midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në fushën ekonomike dhe tregtare, shtoi Cook (Xu Guang)