BiEPAG: BE-ja dhe Ballkani Perëndimor mundësi të humbura për zgjerimin në një dekadë
2024-10-25 11:29:05

Biepag (Foto Rtsh)

Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor kanë humbur shumë mundësi gjatë dekadës së fundit për të shënuar suksese me politikën e zgjerimit, konkluduan pjesëmarrësit e një paneli të mbajtur në Sarajevë, në kuadër të dhjetëvjetorit të krijimit të Grupit Këshillimor për Politikat e Ballkanit në Europë (BiEPAG), shkruan “RTSH”.

BiEPAG u krijua si një nismë e përbashkët e Fondit Europian për Ballkanin dhe Qendrës për Studime të Europës Juglindore të Universitetit të Gracit.

Grupi aktualisht mbledh 25 ekspertë, të cilët janë të vendosur në secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në Bashkimin Europian.

Aleksandra Tomaniç, drejtoreshë ekzekutive e Fondit Europian për Ballkanin (EFB), deklaroi se gjatë dekadës së fundit rajoni nuk ka pasur shumë arritje për t'u festuar.

“Kur u themelua BiEPAG, ne shpresuam që pas dhjetë vjetësh nuk do të kishte më nevojë për të. Fatkeqësisht, dhjetë vjet më vonë, shumica e vendeve në rajon janë ende në fazat e hershme të anëtarësimit në BE. Në këtë përvjetor ka pak për të festuar, kur shikon gjendjen e zgjerimit, veçanërisht gjendjen e demokracisë në rajon”,- tha Tomaniç.

Sipas saj, BiEPAG ka qenë një platformë e rëndësishme për ekspertët e Ballkanit që avokojnë për integrimin e rajonit në BE gjatë dekadës së fundit.

Florian Bieber, koordinator i BiEPAG dhe profesor në Universitetin e Grazit, deklaroi se procesi i zgjerimit gjatë dhjetë viteve të fundit nuk ka sjellë nivelin e dëshiruar të transformimit në shoqëritë e rajonit.

Sipas tij, dekada e fundit nuk ka parë përparim të mjaftueshëm të dukshëm në drejtim të zgjerimit. Ai i kujtoi audiencës se kjo është periudha më e gjatë në historinë e BE-së pa një zgjerim.

“Që nga anëtarësimi i Kroacisë 11 vjet më parë, nuk ka pasur një zgjerim të ri dhe kjo sigurisht do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Ndërkohë, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ne jemi dëshmitarë të tendencave të dukshme të kthimit demokratik dhe rritjes së stabilokracive”,- tha Bieber.

Ai shtoi se përkundër dështimit të procesit të zgjerimit në dekadën e fundit, BiEPAG si rrjet beson se ky proces mbetet i vlefshëm.

Bashkëpunëtorja hulumtuese në Universitetin e Rijekës, Tena Prelec, vuri në dukje se BE-ja shpesh flet për një moment për zgjerim, por nuk ka qenë efektive për ta kapur atë. Ajo përmendi shembullin e Maqedonisë së Veriut, ku nuk u bë përparim pavarësisht se autoritetet e vendit bënë ndryshime të rëndësishme.

Ajo theksoi se BE-ja e ka parë gjithmonë rajonin më shumë si gjysmë periferik sesa pjesë të klubit.

Sipas kryetarit të Bordit të Qendrës së Politikave Europiane (CEP) nga Beogradi, Srđan Majstoroviç, konflikti në Ukrainë krijoi vrull për zgjerim, por ky moment duhet të përkthehet në veprime konkrete.

Sipas tij, edhe pse ka një mirëkuptim brenda BE-së se zgjerimi duhet të ndodhë, duket se ka mungesë të konsensusit midis të 27 shteteve anëtare. Ai theksoi se demokratizimi i rajonit nuk duhet dhe nuk mund të ndahet nga integrimi europian, duke shtuar se demokracia dhe shteti i së drejtës duhet të mbeten në thelb të procesit të anëtarësimit.