KE miraton agjendën e reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor
2024-10-25 11:25:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioni Europian miratoi agjendat e reformave që vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, janë zotuar të ndërmarrin në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit europian.

Vendimi i KE-së u mor pasi vendet anëtare paraqitën mendim pozitiv për këto agjenda. Sipas njoftimit për shtyp, publikuar në faqen e internetit të organit ekzekutiv të bllokut, me agjendat e tyre ambicioze, qeveritë e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor angazhohen të ndërmarrin reforma thelbësore dhe socio-ekomike që do të nxisin rritjen dhe do t’i përafrojnë ato akoma më shumë me bllokun nën planin e rritjes për periudhën 2024-2027, shkruan “RTSH”.

Miratimi nga Komisioni Europian ishte i rëndësishëm për hapjen e rrugës të nisjes së pagesave që Shqipëria dhe vendet e tjera ballkanike do të marrin nga plani europian për reformat dhe rritjen që kap vlerën e gjashtë miliardë dollarëve dhe të cilat do të fillojnë të lëvrohen sapo të përmbushen hapat për reformat e dakordësuara.

Agjendat e reformave përqendrohen në reforma në fushat prioritare të sundimit të ligjit, qeverisjes, tranzicionit digjital dhe të gjelbër, zhvillimit të kapitalit njerëzor apo edhe mjedisit të biznesit. Përveç kësaj, çdo vend përfitues ka propozuar një listë me investime që do të financohen nën këtë plan dhe janë të nevojshme për rritjen socio-ekonomike dhe pritet të miratohen në kontekstin e kuadrit të investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Në njoftimin e tij, Komisioni Europian vlerëson se agjendat e reformave të vendeve të Ballkanit përmbushin objektivat e Planit, përfshi përshpejtimin e mbylljes së boshllëqëve socio-ekonomike që ekzistojnë mes vendeve përfituese dhe bllokut si dhe për të fuqizuar më tej ç’ka shtyllat e procesit të zgjerimit. 

Plani për rritjen e vendeve të Ballkanit Perëndimore që kap shifrën e 6 miliardë eurove, u njoftua nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, në fund të Samitit të procesit të Berlinit, që u mbajt një vit më parë në Tiranë.