Spiropali në Samitin e Rigës: Shqipëria, partner në mbështetjen e Ukrainës
2024-10-25 11:45:30

Spiropali (Foto Atsh)

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë në Samitin e Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, organizuar nga Parlamenti i Letonisë dhe Parlamenti i Ukrainës, në Riga.

Në fjalën e saj, Spiropali nënvizoi se mbrojtja e sovranitetit, integritetit dhe pavarësisë së Ukrainës është një mision i të gjithë vendeve dhe Parlamenteve kombëtare, shkruan “ATSH”.

“Ky samit është një kontribut për sigurinë europiane dhe globale dhe dëshmon vendosmërinë tonë që kjo të bëhet e mundur nëpërmjet një paqeje të drejtë. Plaftorma e Krimesë është përpjekja jonë e përbashkët që t’i rezistojmë tentativës së Rusisë për të shkatërruar rendin ndërkombëtar të mbështetur në rregulla”,- tha Spiropali, e cila theksoi se Shqipëria është një partner i besueshëm në mbështetjen e Ukrainës.

“Parlamenti, qeveria, institucionet dhe qytetarët shqiptarë kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë vendosmërisht dhe pa u lëkundur në mbështetje të Ukrainës kundër agresionit rus. Samiti  i Vendeve të Europës Juglindore për Ukrainën, i mbajtur në Tiranë në shkurt 2024, me prezencën e presidentit Volodymyr Zelensky, konferenca e nivelit të lartë për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës, në Berlin, Samiti i Paqes për Ukrainën në Zvicër, gjithë nismat e SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar, kontributi si bashkëpenëmbajtëse me SHBA-në gjatë mandatit si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit gjatë viteve 2022-2023, janë shenja të forta të mbështetjes sonë të palëkundur. Mbështetja për Ukrainën do të vijojë, për një paqe të drejtë dhe rindërtimin e vendit”,- përfundoi Spiropali.