Cigaret elektronike (Foto Panorama)
Britania e Madhe do të ndalojë shitjen e cigareve elektronike për një përdorim nga viti i ardhshëm, si një përpjekje për të frenuar ndikimin e tyre në mjedis dhe nga të miturit.
Legjislacioni për të ndaluar këto cigare nga 1 qershori i vitit të ardhshëm është paraqitur në Parlament, konfirmoi Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale (DEFRA), citon “Panorama”.
Autoritetet shëndetësore britanike kanë vënë në dukje rrezikun që sjellin cigaret elektronike njëpërdorimshe për të rinjtë.
Sipas sondazhit të vitit 2024 të organizatës bamirëse “ASH”, rreth një në pesë të mitur të moshës 11 deri në 17 vjeç thonë se e kanë provuar këtë cigare.
Media britanike bëri të ditur se është e paligjshme në vend shitja e cigareve elektronike që përmbajnë nikotinë për personat nën moshën 18 vjeç dhe të rriturve u ndalohet gjithashtu t’i blejnë ato në emër të njerëzve nën moshën 18 vjeç.
Plani për ndalimin e cigareve elektronike për një përdorim u parashtrua fillimisht nga qeveria e mëparshme konservatore në janar, por nuk u zbatua para zgjedhjeve të korrikut, të fituara nga laburistët.
Ministrja britanike e Kulturës dhe Punës, Lisa Nandy, bëri të ditur se numri i fëmijëve që pinë këto cigare është trefishuar në tre vitet e fundit dhe cigaret elektronike njëpërdorimshe po shkaktojnë shumë probleme për mjedisin.
“Po bëhemi gjithnjë e më të shqetësuar. Shpresojmë se kjo do të ndihmojë në thyerjen e ciklit ku fëmijët e marrin këtë zakon të avullimit në një moshë më të hershme dhe më të re”,- tha Nandy.
Një studim tjetër i “ASH” raportoi se këtë vit cigaret elektronike ishin mënyra më e popullarizuar për të lënë duhanin në mesin e duhanpirësve me pothuajse 3 milionë njerëz në Britani.