Kryeministrja italiane: Vendimi i Gjykatës së Romës, i paarsyeshëm
2024-10-25 10:23:34

Meloni (Foto Rtsh)

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, bëri të ditur se vendimi i Gjykatës së Romës, që çoi në kthimin e emigrantëve nga Shqipëria në Itali, është absolutisht i paarsyeshëm, sepse nuk ka të bëjë me çështjen e Shqipërisë, por të të gjithë emigrantëve të paligjshëm që vijnë nga vende të caktuara, shkruan “RTSH”.

“Mendoj se asnjë shtet ligjor nuk mund të injorojë menaxhimin e flukseve migratore dhe nuk mund të injorojë një luftë kundër emigracionit të paligjshëm”,- tha Meloni.

“Protokolli i Italisë dhe Shqipërisë është objektivisht një projekt që mund të ndryshojë çështjen e menaxhimit të flukseve migratore dhe këtë e kuptojnë të gjithë edhe në nivel europian. E kisha marrë parasysh që protokolli për emigrantët me Shqipërinë do të duhet të kapërcejë shumë pengesa dhe do t'i kapërcejë. Ai do të funksionojë dhe nuk kam ndërmend që një zgjidhje që kemi identifikuar, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin europian, thjesht do të çmontohet, sepse ka një pjesë të politikës që nuk është dakord me këtë”,- tha Meloni.

12 emigrantët që mbërritën më 16 tetor në Shqipëri u kthyen përsëri në Itali, sipas një vendimi të Gjykatës së Romës. Marrëveshja parashikonte që në Shqipëri do të vendoseshin vetëm emigrantë që vinin nga vende të konsideruara të sigurta nga Italia, por Gjykata vendosi se, Bangladeshi dhe Egjipti, vendet nga ku vinin 12 emigrantët, nuk janë vende të sigurta. Për rrjedhojë ata u rikthyes sërish në Itali.