Komisioni Rregullator miraton rregullat për regjistrimin e diasporës për zgjedhjet e 2025-s
2024-10-25 11:37:10

Vota e diaspores (Foto Rtsh)

Komisioni Rregullator miratoi rregullat për regjistrimin e votuesve jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve, shkruan “RTSH”.

Ky vendim parashikon rregulla të përgjithshme të përcaktuara në ligj sa i takon procesit të regjistrimit të zgjedhësve dhe institucionit kompetent për të administruar këtë proces, ku përcaktohet se regjistrimi i votuesve në listën e zgjedhësve jashtë vendit bazohet në vullnetin e vetë zgjedhësit për ta ushtruar të drejtën e votës aty ku jeton.

Regjistrimi në listën e zgjedhësve jashtë vendit sjell çregjistrimin e tij nga lista e zgjedhësve që votojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Parashikohen rregulla të posaçme që lidhen me paraqitjen e kërkesës për regjistrim, afatet dhe dokumentacionin shoqërues që do të duhet të plotësojë zgjedhësi nga jashtë vendit.

Hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit dhe regjistrimin e tyre bëhet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Kërkesa për regjistrim do të bëhet në mënyrë individuale nga zgjedhësi dhe kjo kërkesë i drejtohet KQZ-së, sipas procedurave dhe afateve të parashikuara në këtë vendim.

Kërkesat për regjistrim do të bëhen në platformën elektronike e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga KQZ-ja. Platforma Elektronike e Regjistrimit, (referuar si “PER”), në të dy versionet mobile dhe desktop, do të jetë pa pagesë për zgjedhësit, me qëllim uljen e barrës së kostos, si dhe për të rritur aksesueshmërinë për këdo në mënyrë që mos të jenë të varur nga teknologjia që gjithsecili disponon.

Në vendim përcaktohet edhe mënyra e shqyrtimit të kërkesave të ardhura dhe përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, mënyra dhe afatet e komunikimit me RKGjC, si dhe modalitetet e rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste.

Gjithashtu, janë parashikuar rregullat që lidhen me mbikëqyrjen dhe kontrollin e procesit të regjistrimit për të siguruar transparencë dhe qasje të të gjithave palëve në çdo hap përgatitor apo të zbatimit të procesit.

Vendimi u mor edhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e organizatave të diasporës, organizatave të shoqërisë civile vendase të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, veprimtaria e të cilave ka në fokus zgjedhjet, si dhe medies.