“E gjelbra”, tipari thelbësor i bashkëpunimit Kinë-Brazil
2024-10-25 16:20:22

绿色---[lǜ sè]---E gjelbër

Në shtetin Piauí të Brazilit Verilindor, centrali fotovoltaik Marangatu për prodhimin e elektricitetit me investim dhe i ndërtuar prej ndërmarrjeve kineze, po u ofron pandërprerë banorëve vendorë energji të pastër.

Centrali fotovoltaik Marangatu/Xinhua

Centrali fotovoltaik Marangatu/Xinhua

Adriana Waltrick është kryeekzekutive e degës së Korporatës Kombëtare të Investimeve Energjetike (SPIC) të Kinës në Brazil.

“Projekti Marangatu, në shtetin Piauí, ka agregate të instaluara me kapacitet 446 megavatë. Ky kapacitet mund të mbulojë kërkesat vjetore për energji elektrike të gati 550 000 familjeve. Pra, sipas përllogaritjes sonë, projekti mund të pakësojë çdo vit me mbi një milionë tonë lëshimin e karbonit në atmosferë.”

Leonardo Grandini është një banor vendor.

“Piauí është për fat të keq një nga shtetet më të varfra në Brazil. Por tani ky central funksionon, dhe njerëzit në rajon mund të furnizohen edhe me energji të pastër. Është e mrekullueshme të thuhet se është Kina, Republika Popullore e Kinës, që po e realizon këtë, që po e ndihmon Brazilin me këtë, dhe kjo është shumë e mirëpritur. Shpresoj se mund ta intensifikojmë dhe zhvillojmë gjithnjë e më shumë marrëdhënien tonë, sepse ajo ndryshon jetën e njerëzve.”

Doktor Rodrigo Lopes Sauaia është bashkëthemelues dhe kryetar ekzekutiv i Shoqatës Braziliane të Energjisë Diellore Fotovoltatike.

“Teknologjitë e përparuara të Kinës, duke përfshirë atë të energjisë diellore fotovoltaike, të rezervimit të energjisë elektrike dhe hidrogjenit të gjelbër, mund të shfrytëzohen në Brazil. Nga shkëmbimet konstruktive dypalëshe, kompanitë braziliane e kineze mund të fitojnë në të njëjtën kohë.”

Centrali fotovoltaik Marangatu/Xinhua

Centrali fotovoltaik Marangatu/Xinhua

Drejtori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Këshillin e Zhvillimit Tregtar Brazil-Kinë Marcelo Luis Besteti shprehet:

“Hyrja e kompanive kineze në tregun brazilian ka nxitur sektorin e energjisë së përtëritshme, si të erës, edhe fotovoltaike, duke përmirësuar strukturën tonë energjetike. Kjo ka çuar në efektivitet energjetik dhe uljen e lëshimit të karbonit”.

Ndërsa ndërmarrjet kineze ndihmojnë në ndryshimin e strukturës energjetike të Brazilit, edhe kompanitë braziliane po e furnizojnë Kinën me produkte ose lëndë të para për uljen e lëshimit të karbonit. Në qendrën studimore të "Suzano"-s në Shangai, punonjësit po merren me studimin dhe inovacionin në prodhimin dhe përdorimin e materialeve me lëndë të para biologjike. Në të njëjtën kohë, "Suzano" po bashkëpunon me institucionet tekniko-shkencore për të nxitur zhvillimin e vazhdueshëm të bazuar mbi risi teknologjike.

Mariana Lisbôa është drejtorja globale e çështjeve korporative të "Suzano"-s.

“Kina po kalon nga ‘rritja e shpejtë’ drejt ‘zhvillimit me cilësi të lartë’. Kjo përputhet mirë me objektivin e kompanisë sonë. 'Suzano' synon zhvillimin e vazhdueshëm në bazë të risive. Prandaj, për këtë arsye, zgjodhëm të krijonim një qendër studimi në Kinë, për të promovuar zbatimin në një përmasë më të gjerë dhe për të mbështetur zhvillimin e Kinës ”.

"E gjelbra" është “ngjyra bazë” e bashkëpunimit Kinë-Brazil. Të dyja vendet po bashkëpunojnë për të përballuar ndryshimet klimatike, duke kryer transformiin drejt energjisë së pastër për të kontribuuar në zhvillimin e vazhdueshëm botëror.

Gentil Nogueira de Sá Júnior është zv.ministri brazilian i Minierave dhe i Energjisë.

Centrali fotovoltaik Marangatu/Xinhua

Centrali fotovoltaik Marangatu/Xinhua

“Ne jemi të gatshëm të vijojmë të punojmë krah për krah me Kinën gjatë këtij procesi, për të sjellë më shumë zhvillim, për të ngritur kompetencat e profesionistëve, për të zhvilluar vendet tona dhe për të garantuar që popujt e të dy vendeve të jenë në gjendje të përdorin energjinë elektrike të prodhuar me burimet e veta natyrore”.

Kurse ministrja braziliane e Mjedisit dhe Ndryshimit të Klimës Marina Silva thotë:

“Kina synon ndërtimin e qytetërimit ekologjik nëpërmjet krijimit të ekonomisë së qarkullueshme. Ndërkohë, Brazili dëshiron të japë kontribute të mëdha për mbrojtjen e sistemit ekologjik e të natyrës dhe në zhvillimin e teknologjisë përkatëse. Kina dhe Brazili janë partnerë të rëndësishëm. Jemi të gatshëm të zgjerojmë bashkëpunimin me palën kineze në fusha si ndryshimi klimatik, kontrolli i shpyllëzimit dhe gjurmimi i prodhimit të produkteve bujqësore. Do të shtojmë edhe bashkëpunimin në mbrojtjen e pyjeve dhe të shumëllojshmërisë biologjike”.