Kryeministri izraelit (Foto Panorama)
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Hezbollahu po përgatiste në Liban një sulm kundër Izraelit më të madh se ai i 7 tetorit 2023, i nisur nga Hamasit nga Gaza.
“Në një distancë prej 100-200 metra nga kufiri i Izraelit, në anën libaneze, gjetëm tunele nëntokësore që po përgatiteshin për një pushtim të Izraelit. Një sulm edhe më i madh se ai i 7 tetorit, me xhipa, motoçikleta e raketa. Ata po planifikonin një pushtim”,- tha Netanyahu për medien franceze, citon “Panorama”.
Pas gati një viti përleshjesh ndërkufitare me luftëtarët e Hezbollahut, Izraeli më 23 shtator filloi një fushatë të rëndë sulmesh ajrore kundër bastioneve të grupit në Liban. Një javë më vonë ai filloi operacionet tokësore në pjesën jugore të vendit.
Izraeli përsërit se dëshiron të heqë Hezbollahun nga kufijtë e tij dhe t’i japë fund sulmit me raketa nga grupi shiit për të lejuar afro 60.000 banorët e zhvendosur të kthehen në Izraelin verior.
Hezbollahu, duke thënë se po vepronte në mbështetje të Hamasit, kishte hapur një front kundër Izraelit më 8 tetor 2023, një ditë pas sulmit të paprecedentë të lëvizjes islamike palestineze ndaj Izraelit, i cili shkaktoi luftën në Rripin e Gazës.
Të paktën 1552 njerëz janë vrarë në Liban që nga fillimi i sulmeve ajrore izraelite më 23 shtator, sipas një raporti të “AFP”-së bazuar në shifrat zyrtare. OKB-ja ka regjistruar rreth 800.000 persona të zhvendosur brenda vendit dhe, sipas autoriteteve libaneze, rreth 500.000 kanë ikur në Siri.