foto nga VCG
Ndërsa miliona amerikanë u drejtohen qendrave të votimit, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, kërkon mbështetjen e votuesve të pavendosur në Pensilvani dhe republikani Donald Trump zhvillon tubime në shtetin e Georgias.
Gati 25 milionë amerikanë kanë votuar personalisht ose me postë, sipas të dhënave nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës. Disa shtete amerikane mundësojnë votimin e hershëm, shkruan “Panorama”.
Disa shtete, mes tyre Karolina e Veriut dhe Georgia, shtete të pavendosura, shënuan pjesëmarrje rekord javën e kaluar në ditën e parë të votimit të hershëm.
Pensilvania dhe Georgia janë ndër shtetet që do të përcaktojnë se kush do t’i fitojë zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë.
Të dy kandidatët ka të ngjarë të zhvillojnë tubime të tjera në këto shtete para zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Nga 7 shtetet kyçe, Pensilvania është më e madhja dhe ka 19 elektorë, numrin më të lartë ndër ato që konsiderohen shtete vendimtare.
Në dy garat e fundit, kandidati që ka fituar në Pensilvani ka fituar edhe zgjedhjet presidenciale.
Diferenca në të dyja rastet ka qenë e ngushtë, me disa dhjetëra mijëra vota në një shtet me miliona votues.
Ndërsa sondazhet tregojnë se gara është tepër e ngushtë, Pensilvania mund të përcaktojë fituesin e Shtëpisë së Bardhë.