Kompanitë ajrore në Gjermani kërkojnë uljen e taksave të fluturimit
2024-10-25 10:10:51

Foto China Daily

Taksat mbi udhëtimet ajrore po kërcënojnë të ardhmen e sektorit të aviacionit të Gjermanisë. Paralajmërimi ka ardhur nga presidenti i Shoqatës Gjermane të Aviacionit, Jens Bischof.

Sipas tij, një rritje prej 25 për qind në taksën e aviacionit, e vendosur në industri që më 1 maj, ka shtuar me 16 deri në 71 euro koston e një bilete avioni. Bischof tha se taksa e saporritur, së bashku me të tjerat në formën e taksave të sigurisë, tarifat e kontrollit të trafikut ajror, po e bëjnë fluturimin gjithnjë e më jotërheqës për udhëtarët dhe joekonomik për linjat ajrore.

"Fluturimi duhet të mbetet i përballueshëm",- i tha Bischof gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. "Taksa e transportit ajror duhet të hiqet. Suedia e ka treguar mënyrën".

Komentet e tij pasuan një thirrje nga shefi ekzekutiv i kompanisë “Ryanair”, Eddie Wilson, për një reduktim të taksës, pasi “Ryanair” përmendi kostot e larta si arsyen pse po eliminonte 22 linja nga aeroportet gjermane për verën e vitit 2025. Wilson tha se Gjermania ka taksat dhe tarifat më të larta shtetërore në Europë.

Agjencia gjermane e lajmeve “DPA” tha se shumë linja ajrore janë veçanërisht të frustruara që taksa e transportit ajror, e cila u prezantua si një masë për mbrojtjen e klimës, tani po shpenzohet për gjëra që nuk kanë lidhje me luftën kundër ngrohjes globale.

Megjithatë, mbështetësit e taksës thonë se udhëtimi ajror përbën rreth 2.5 për qind të emetimeve globale të gazeve serrë dhe është forma më ndotëse e udhëtimit për sa u përket emetimeve, kështu që duhet të dekurajohet fuqimisht.

Bischof, i cili është gjithashtu CEO i filialit të “Lufthansa”-s, “Eurowings”, tha se taksat nënkuptojnë se fluturimet e brendshme në Gjermani janë gjithnjë e më të papërballueshme.

“Eurowings” njoftoi këtë muaj se do të shkurtonte më shumë se 1000 fluturime të brendshme drejt dhe nga qyteti gjerman i Hamburgut gjatë vitit 2025 dhe se do të hiqte gjashtë fluturime ndërkombëtare.

Transportuesi tha në një deklaratë se fluturimi për në dhe nga Gjermania po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë dhe jofitimprurës për shumë linja dhe se nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse shkurtimi i tyre.

“Condor”, një linjë ajrore gjermane, ka njoftuar gjithashtu kohët e fundit ndërprerjen e fluturimeve, duke thënë se do të shkurtojë rrugët brenda dhe jashtë Hamburgut me 13 për qind.

"Ne nuk po shkurtojmë vetëm kapacitetin në Hamburg, por edhe rritjen tonë të planifikuar për në verën e vitit 2025, një pasojë logjike e kërcënimit të një rritjeje krejtësisht disproporcionale të tarifave në Hamburg",- citoi agjencia e lajmeve “Xinhua” CEO-n e kompanisë “Condor”, Peter Gerber.

Kompania gjermane “Lufthansa” tha së fundmi se një avion A320 për distanca të mesme duhet të paguajë rreth 4,000 euro tarifa kur fluturon në Gjermani.

Sipas kompanisë, i njëjti lloj fluturimi, për të njëjtat distanca, do të duhej të paguante rreth 600 euro për të vizituar aeroportet në Spanjë.

Carsten Spohr, CEO i “Lufthansa”-s, u citua nga media gjermane në fillim të këtij muaji: "Rritja ekstreme e kostove në transportin ajror po çon në një reduktim të mëtejshëm të furnizimit. Gjithnjë e më shumë linja ajrore po shmangin aeroportet gjermane ose po anulojnë lidhje të rëndësishme”.