Begaj në Bosnjë dhe Hercegovinë: Integrimi rajonal, me rëndësi për përshpejtimin e integrimit europian
2024-10-24 11:34:18

Presidenti Begaj në Sarajevë (Foto ATSH)

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u takua në Sarajevë me kryesuesin e radhës së Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, si dhe dy anëtarët e Presidencës, Željko Komšić dhe Željka Cvijanović.

Në fokus të bisedës ishin intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe, që tashmë me rihapjen e ambasadave respektive do të ketë një rigjallërim, si dhe çështjet e sigurisë dhe të bashkëpunimit në rajon, udhëzimet e Procesit të Berlinit, integrimi europian dhe NATO, shkruan “ATSH”.

Presidenti i Republikës rikonfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të thelluar më tej bashkëpunimin në nivel dypalësh dhe atë rajonal.

Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet pa ekuivok sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social, si dhe përparimin në rrugën euroatlantike të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Përballë kërcënimeve në rajon, presidenti Begaj konfirmoi politikat e konsoliduara të Shqipërisë për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke garantuar vazhdimin e kontributit në misionin EUFOR-ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Begaj bëri të ditur se në takim u diskutua për avancimin më shpejt me projektet e infrastrukturës rrugore, duke përfshirë Korridorin Blu e gazsjellësin Adriatiko-Jonian.