OKB, mbi 100 vende kundërshtojnë politizimin e çështjeve të të drejtave të njeriut
2024-10-24 12:03:48

Foto nga VCG

Ambasadori Fu Cong në mbledhje të OKB-së/VCG

Mbi 100 vende shprehën mbështetjen e tyre për qëndrimin e Kinës dhe kundërshtuan politizimin e të drejtave të njeriut në Komitetin e Tretë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën në Nju-Jork.

Në përgjigje të akuzave të pabaza për situatën e të drejtave të njeriut në Kinë të bëra nga disa vende perëndimore, ambasadori Fu Cong, i dërguari i përhershëm i Kinës në OKB, shprehu kundërshtim dhe i hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se situata e të drejtave të njeriut që ka nevojë më së shumti  për vëmendjen ndërkombëtare, është pa dyshim në Gazë.

Në emër të 80 vendeve, Pakistani mbajti një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se çështjet që lidhen me Xinjiang-un e Xizang-un janë punë të brendshme të Kinës. Ata kundërshtuan ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës me pretekstin e të drejtave të njeriut dhe u shprehën për zbatimin e qëllimeve dhe të parimeve të Kartës së OKB-së dhe për respektimin e së drejtës së çdo vendi për të zgjedhur në mënyrë të pavarur rrugën e zhvillimit që përshtatet me kushtet e tyre kombëtare.

Ambasadori Fu bëri gjithashtu një deklaratë të përbashkët në emër të 28 vendeve, duke denoncuar shpërdorimin e masave të njëanshme nga disa vende perëndimore. Ai theksoi se masat shtrënguese të njëanshme shkelin qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së e të drejtën ndërkombëtare dhe kanë shkaktuar pasoja të dëmshme për vendet e sanksionuara e popujt e tyre, duke i privuar nga të drejtat e njeriut, përfshirë ato për shëndetin dhe jetën. Ai bëri thirrje për anulim të menjëhershëm dhe të plotë të këtyre masave.

Komiteti i Tretë i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është komiteti kryesor që merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin shoqëror.