团结---[tuán jié]--Bashkim
Vendet e BRICS-it tani zënë rreth 30 % të PBB-së globale, gati gjysmën e popullsisë së botës dhe një të pestën e tregtisë globale pas zgjerimit nga pesë anëtarë në dhjetë në janar të sivjetshëm.
Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në Samitin e BRICS-it, 23 tetor 2024, Kazan, Rusi/Xinhua
Zgjerimi i BRICS-it është "një gur kilometrik" në historinë e tij dhe "një ngjarje e shënuar" në kushtet e evoluimit të situatës ndërkombëtare, tha presidenti kinez Xi Jinping të mërkurën në Samitin e 16-të të BRICS-it në Kazan të Rusisë.
Kreu i shtetit i Kinës shtoi se samiti ka vendosur të ftojë një numër vendesh të bëhen partnere të BRICS-it, duke e vlerësuar këtë vendim si "një tjetër zhvillim të rëndësishëm" të këtij mekanizmi.
"Ne duhet të punojmë së bashku për ta shndërruar BRICS-in në një platformë kryesore për forcimin e solidaritetit dhe bashkëpunimit midis vendeve të Jugut Global dhe një pararojë për nxitjen e reformës së qeverisjes globale," tha ai.
Samiti i Kazanit është takimi i parë i drejtpërdrejtë i liderëve të vendeve të BRICS-it pasi Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u bënë anëtarë më 1 janar të vitit 2024, duke iu bashkuar Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut.
Në samitin e së mërkurës, Xi u bëri thirrje vendeve anëtare që të krijojnë një BRICS që punon për paqen dhe që sherben si një rojë që mbron sigurinë e përbashkët.
Ai u kërkoi vendeve anëtare të mbështesin tre parimet e “moszgjerimit të fushëbetejës, mospërshkallëzimit të luftimeve dhe mosprovokimit nga asnjë palë” për të arritur çpërshkallëzimin e krizës së Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur.
Flamurë kombëtarë të pesë anëtarëve kryesorë të BRICS-it(Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut)/VCG
Në shtator, Kina, Brazili dhe vende të tjera të Jugut Global nisën platformën "Miqtë e Paqes" për krizën në Ukrainë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara, për të bashkuar më shumë zëra në favor të paqes.
Vendet e BRICS-it dhe vendet e Jugut Global kanë qëndrime të ngjashme për krizën e Ukrainës, duke qëndruar me vendosmëri në anën e paqes, pajtimit, dialogut e solidaritetit, tha ditët e fundit ambasadori kinez në Rusi Zhang Hanhui.
Xi trajtoi gjithashtu në fjalimin e tij në samit të mërkurën situatën humanitare në Gazë dhe konfliktin në Liban, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm, dhënien fund të vrasjeve dhe përpjekje të pandërprera për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë e të vazhdueshme të çështjes së Palestinës.
Në nëntor të vitit 2023, tre muaj pas vendimit për zgjerim, BRICS-i organizoi një samit të përbashkët të jashtëzakonshëm mbi situatën në Gazë me pjesëmarrjen e udhëheqësve të vendeve anëtare zyrtare dhe të vendeve të ftuara, i cili është takimi i parë i këtij lloji i BRICS-it.
Sipas presidentit kinez, kjo shënoi "një fillim të mirë" për një bashkëpunim më të madh të BRICS-it pas zgjerimit të tij, pasi në takimin u koordinuan qëndrimet dhe veprimet e anëtarëve për raundin e ri të konfliktit palestinezo-izraelit që shpërtheu më 7 tetor të vitit të kaluar.
Presidenti kinez bëri thirrje të mërkurën njëkohësisht për ndërtimin e një BRICS-i që përpiqet për drejtësi dhe që udhëheq reformën e sistemit të qeverisjes globale, duke u kërkuar anëtarëve të ndjekin prirjen e përgjithshme të rritjes së Jugut Global, duke iu përgjigjur në mënyrë aktive kërkesës së vendeve që duan t'i bashkohen mekanizmit të bashkëpunimit të BRICS-it.
Udhëheqës pjesëmarrës në Samitin e 16-të të BRICS-it dalin në fotografi, 23 tetor 2024, Kazan, Rusi/Xinhua
Ai tha se grupi duhet të çojë përpara procesin e zgjerimit dhe të krijimit të vendeve partnere, duke rritur përfaqësimin dhe zërin e vendeve në zhvillim në qeverisjen globale.
Më shumë se 30 vende kanë aplikuar zyrtarisht ose kanë shprehur interes për anëtarësimin në BRICS, dhe shumë vende të tjera në zhvillim po kërkojnë bashkëpunim më të thellë me këtë grup.
Duke përmendur urgjencën e reformimit të arkitekturës financiare ndërkombëtare, Xi bëri thirrje për forcimin e Bankës së Re të Zhvillimit (NDB) dhe u kërkoi vendeve të BRICS-it të marrin drejtimin në promovimin e një përafrimi më të mirë të sistemit financiar ndërkombëtar me dinamikën e ndryshimeve të ekonomisë globale.
"Për sa i përket PBB-së, vendet e BRICS-it tashmë e kanë tejkaluar G7-n për nga rëndësia," i tha medias së fundmi Dilma Rousseff, presidente e NDB-së, duke iu referuar shtatë ekonomive më të mëdha të përparuara në botë.
Si një projekt kryesor i bashkëpunimit të BRICS-it dhe banka e parë shumëpalëshe për zhvillimin e krijuar nga ekonomitë në rritje dhe vendet në zhvillim, NDB-ja u themelua bashkërisht nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut në vitin 2014 dhe e zgjeroi anëtarësisë e saj në vitin 2021 duke përfshirë Bangladeshin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uruguain dhe Egjiptin.
Zgjerimi i anëtarësisë së bankës do të rritë rolin e saj si platformë bashkëpunimi e vendeve të Jugut Global dhe do të kontribuuojë në ndërtimin e një arkitekture financiare ndërkombëtare me multilateralizëm e multipolaritet, shtoi Rousseff.