Krujë, Shqipëri/VCG
86% e të intervistuarve në anketën kombëtare për qeverisjen dhe sigurinë mjedisore në Shqipëri u shprehën se janë thellësisht të shqetësuar për problematikat mjedisore dhe 73% e tyre thanë se kanë qenë dëshmitarë të dëmit mjedisor në zonat ku banojnë.
Problematikat më të mëdha kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit, të ujit dhe të tokës (31%), shkatërrimin e pyjeve (20%) dhe përgjigjen e dobët institucionale ndaj shkeljeve mjedisore (32%), shkruan “ATSH”.
Mbështetur në rezultatet e kësaj ankete, prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi nga Librazhdi një fushatë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe të angazhimit për qeverisjen dhe sigurinë mjedisore. Në një takim dinamik, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve vendore, të rinjve dhe botës akademike diskutuan për çështjet e pyjeve.
Fushata, e cila do të zgjasë deri në dhjetor, fokusohet në tema kyçe si administrimi i pyjeve, çështjet gjinore dhe mjedisi, korrupsioni mjedisor, zjarret, prerja e paligjshme e pemëve, ndikimi ekonomik i krimit mjedisor dhe angazhimi i të rinjve në forcimin e qeverisjes mjedisore.
Stacionet e radhës janë Gjirokastra, Dropulli, Shkodra, Maliqi, Devolli dhe Korça. Anketa dhe fushata janë pjesë e projektit të prezencës së OSBE-së “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili mbështetet financiarisht nga Norvegjia, Franca dhe Italia.