Xi Jinping takohet me Presidentin e Egjiptit
2024-10-24 02:07:02

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të mërkurën me Presidentin e Egjiptit, Abdul Fatah Al-Sisi, gjatë Samitit të 16-të të BRICS në Kazan të Rusisë.

Xi përgëzoi dhe mirëpriti Egjiptin për pjesëmarrjen si anëtar zyrtar në samitin e liderëve të BRICS.

Xi theksoi se ky vit shënon "vitin e partneritetit Kinë-Egjipt" dhe 10-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithashëm strategjik midis dy vendeve.

Kina mbështet me vendosmëri Egjiptin në ruajtjen e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit dhe është e gatshme të jetë një mik i sinqertë dhe partner i ngushtë në zhvillim të përbashkët i Egjiptit.

Të dyja palët duhet të vazhdojnë të mbështesin njëra-tjetrën, të forcojnë besimin politik, të thellojnë bashkëpunimin praktik, të ndërtojnë me cilësi të lartë nismën "Një brez, një rrugë" dhe të promovojnë shkëmbimet njerëzore.

Kina gjithashtu është e gatshme të forcojë koordinimin me palën egjiptiane, për të përparuar bashkëpunimin e BRICS-it, për të rritur më tej ndikimin dhe zërin e Jugut Global në arenën ndërkombëtare dhe për të mbrojtur interesat e përbashkëta të vendeve në zhvillim.

Presidenti Sisi përgëzoi Kinën për 75-vjetorin e themelimit të saj dhe theksoi se partneriteti i gjithanshëm strategjik midis Egjiptit dhe Kinës ka sjellë rezultate të frytshme gjatë 10 viteve të fundit. Ai falënderoi Kinën për ndihmën e saj të vlefshme.

Pala egjiptiane është e përkushtuar fuqimisht ndaj parimit të një Kine dhe e kupton plotësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të çështjes së Tajvanit për Kinën. Pala egjiptiane është e gatshme të lidhë strategjitë e zhvillimit të Egjiptit me nismën kineze "Një brez, një rrugë", për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Ai gjithashtu falënderoi Kinën për mbështetjen e saj për anëtarësimin e Egjiptit në BRICS dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në mbrojtjen e interesave të përbashkëta të vendeve në zhvillim dhe të Jugut Global, për të promovuar një sistem global më të drejtë të qeverisjes globale.

Të dyja palët shkëmbyen mendime mbi situatën aktuale në Lindjen e Mesme.

Xi tha se Kina është shumë e shqetësuar për situatën aktuale në rajon. Konflikti dhe trazirat në këtë rajon nuk i shërbejnë interesave të asnjërës palë. Çështja e Palestinës është kyçi i çështjes së Lindjes së Mesme. Prioritet urgjent është zbatimi i plotë dhe efektiv i rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe arritja sa më e shpejtë e një armëpushimi të qëndrueshëm në Gaza. Vetëm përmes realizimit të "zgjidhjes me dy shtete" mund të arrihet një zgjidhje e plotë, e drejtë dhe e qëndrueshme për çështjen palestineze.

Kina vlerëson përpjekjet e Egjiptit për të promovuar armëpushimin dhe ndalimin e luftimeve, dhe është e gatshme të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin me Egjiptin për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit dhe për të kontribuar në stabilizimin e situatës në rajon.