Shkëmbimet Shqipëri-Turqi (Foto ATSH)
Vizita e Presidentit Erdogan në Shqipëri i gjeti marrëdhëniet ekonomike shqiptaro-turke në ditë të mira. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja të ardhura nga Turqia përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit zënë 20% të totalit të investimeve në ekonominë e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe. Investimet e huaja në gjashtëmujor ishin 749 milionë euro gjithsej, ku Turqia renditet shteti i parë sa i përket investimeve në Shqipëri, me vlerën më të lartë, duke lënë pas Italinë, Gjermaninë apo Holandën. Sipas shifrave të Institutit të Statistikave gjatë vitit të kaluar në Shqipëri ishin aktive 403 ndërmarrje turke, të përqendruara kryesisht në fushën e shërbimeve dhe punësojnë afro 15 mijë punonjës.
Prej muajsh në Shqipëri është themeluar Musiad Albania, Shoqata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Turqia. MÜSİAD-i në Shqipëri synon të kombinojnë përpjekjet e tyre për të rritur potencialin e tregtisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe për të krijuar lidhje më të forta. Një nga anëtarët e shoqatës është edhe sipërmarrësi shqiptar që bën tregti me Turqinë Gledi Kryemadhi, i cili operon në fushën logjistike dhe flet për marëdhëniet mjaft të mira mes dy vendeve.
“Musiad ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këto 7 muaj Pjesë e bordit drejtues të Musiad kemi disa kompani prestigjioze turke në sistemin bankar, sistemin ajror, miniera, turizmin shëndetësor, ndërtim dhe arsimi. Këto janë kompani që kanë investuar në Shqipëri. Roli i Musiad në Shqipëri është që të thithim investitorët për të investuar në fushat që janë shumë të rëndësishme dhe kanë nevojë për shumë zhvillim siç është sektori i turizmit, i ndërtimit, duke patur parasysh bumin e ndërtimeve në zonat bregdetare.
Pikat tona janë që të bëjmë ndërlidhjet mes bizneseve turke dhe shqiptare për të investuar në vendin tonë. “ -tha Kryemadhi.
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk Erdogan (Foto Hashtag)
Sipas tij, anëtarësimi në këtë shoqatë ka shënuar risi
“Dua të theksoj se në Musiad Albania kemi një risi në krahasim me degët e Musiad në mbarë botën sepse te ne janë anëtarë bordi disa kompani shumë të njohura dhe prestigjioze shqiptare dhe ndihemi krenarë me to që kanë investuar dhe po i japin zhvillim vendit tone. Për ne është kënaqësi që kemi bashkëpunim mes bizneseve turke dhe shqiptare, të gjithë të bashkuar ta çojmë përpara Musiad dhe atë çka ofron për bizneset.”- u shpreh Kryemadhi.
Sipas Kryemadhit, shifrat tregojnë ecuri pozitive të shkëmbimeve.
“Bashkëpunimi me Turqinë është i kënaqshëm duke qenë që Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm për ne. Duhet të theksojmë që nga viti 1991 mes Shqipërisë dhe Turqisë shkëmbimet kanë qenë të vazhdueshme. Kemi një shifër vjetor 1.5 miliardë dollarë shkëmbi të mallrave dhe investimin direkt 2.5 milionë dollarë ndër vite.“
Interesi nga kompanitë turke është i lartë.
“Interesi është shumë i lartë. Para një muaji kemi pasur B2B ku ishin të ftuar mbi 100 biznese turke, plus edhe shumë biznese turke nga vende të Evropës. Kemi lidhur dhe një marrëveshje tregtare mes Musiad Holanda dhe Musiad Albania dhe biznese me mbi 1 mijë të punësuar në Turqi që erdhën dhe ishin të interesuar për të investuar sa i përket sektorit të makinerive, ndërtimit, sektorit ushqimor, turizmit, turizmit shëndetësor, që po zhvillohet dita- ditës me marrëdhëniet Turqi-Shqipëri”
Edhe shumë shqiptarë kanë zgjedhur të bëjnë biznes me Turqinë.
“Në Turqi janë mbi 8 milionë shqiptarë dhe një pjesë e tyre janë biznesmenë, duke qenë dhe suport për bizneset shqiptare në Turqi. Një nga ato kompani që kanë hapur firmën në Turqi jam dhe unë. Unë kam punësuar shtetas turq dhe njoh shumë kompani shqiptare që kanë hapur bizneset e tyre në Turqi dhe nëpërmjet Turqisë eksportojnë në disa vende të botës.”- shprehet sipërmarrësi Kryemadhi.
Ai flet për sektorët më potencialë atje.
“Në Turqi sektori i logjistikës është shumë i rëndësishëm ku kompanitë shqiptare vitet e fundit kanë përhapje të gjerë të transporteve Turqi-Shqipëri dhe e kanë pasur të domosdoshme të jenë me firmat e tyre në Turqi.”
Prej janarit deri në gusht Shqipëria ka blerë nga Turqia mallra me vlerë 66.6 miliardë lekë, ndërkohë që i kemi shitur mallra vetëm 2.7 miliardë lekë.
“Nga viti 1991 deri më sot kemi pasur më shumë biznese turke që kanë ardhur në Shqipëri, sesa bizneset shqiptare në Turqi. Bizneset shqiptare në Turqi janë të pakta. Ka disa kompani në Shqipëri që eksportojnë në Turqi, por nuk kanë kompanitë e tyre në Turqi, për shkak të rritjes së çmimit të lëndës së parë, çmimit të punëtorisë. Për këto arsye më shumë kompani shqiptare zgjedhin të prodhojnë dhe të eksportojnë në çdo vend të botës. “
Shkëmbimet tregtare Shqiperi-Turqi (Foto Konica.al)
Sa i takon tregtisë së mallrave, Turqia është në vend të dytë, pas Italisë e cila kryeson listën me vlerën më të madhe të importeve drejt Shqipërisë me 125,8 miliardë lekë. por edhe eksportet drejt Italisë, janë shumë herë më të larta se me Turqinë pasi arrijnë në 111.4 miliardë lekë.