Liderët e vendeve pjesëmarrëse në Samitin BRICS (Foto Xinhua)
33 vende marrin pjesë në Samitin e BRICS-it që zhvillohet nga 22-24 tetor në Kazan të Rusisë. Organizata e themeluar në qershor 2006 përbëhej fillimisht nga vendet themeluese Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut dhe është zgjeruar me Arabinë Saudite, Iranin, Etiopinë, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Me temë "Forcimi i multilateralizmit për zhvillim dhe siguri të drejtë globale" Samiti i ekonomive kryesore në zhvillim, si një platformë globale pritet që përmes marrëveshjeve dhe nismave të ndikojë në aktualitetin ekonomik, teknologjik dhe të sigurisë globale. Kryeredaktorja e portalit online “Argumentum.al” Marjana Doda komenton këtë samit dhe ndikimin e pritshëm global të tij
Marjana Doda në intervistë për CMG
CMG: Samiti i BRICS+ që zhvillon punimet nga 22-24 tetor në Kazan të Rusisë, kjo e fundit vend kryesues i grupimit, ndonëse ka edicionin e 16-të, në këtë takim mbahet me pjesëmarrjen e vendeve themeluese Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, por dhe të vendeve të reja anëtare, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Çfarë kontributi pritet të sjellë kjo platformë në nivel global?
Marjana Doda: Në këndvështrimin tim ky samit është i pari pas zgjerimit të BRICS me anëtarësime të reja në fillim të këtij viti dhe është më i rëndësishm në peizazhin aktual gjeopolitik. Po ta shohësh në aspektin gjeopolitik, vendet e reja anëtare janë në zhvillim të disa situatave të rëndësishme dhe serioze në Lindjen e Mesme, por dhe për botën. Ndaj mendoj se ky samit mund të japë një kontribut të rëndësishëm dhe në aspektin e sigurisë globale dhe zhvillimit ekonomik, duke patur parasysh që kjo është shtylla kryesore jo vetëm e samitit, por dhe e këtij grupimi ekonomik.
Edhe në fushën e multilateralizmit, duke qenë se kemi një bashkëpunim të këtyre shteteve ka një rëndësi shumë domethënëse samiti.
Në aspektin ekonomik, duke qenë se vendet anëtare ku përfshihen tashmë edhe vendet e reja mund të bashkëpunojnë për të promovuar një zhvillim më të madh ekonomik nëpërmjet bashkëpunimit të anëtarëve me njeri-tjetrin, por dhe më gjerë në botë.
CMG: Në këtë grupim vendet kanë përfitime të qarta ekonomike dhe dëshirojnë t’i bashkohen grupit, duke qenë vende në zhvillim në këtë mënyrë avancojnë. BRICS përbëhet tashmë nga 10 vende që përfaqësojnë 45 për qind të popullsisë globale, 28 për qind të prodhimit ekonomik botëror dhe 47 për qind të naftës së papërpunuar globale.Ndërkohë agjenda e Samitit në fushën ekonomike është dominuar nga disa prioritete strategjike si nxitja e teknologjisë së lartë, transformimi i sistemit ndërkombëtar të pagesave dhe zgjerimi i përdorimit të monedhave kombëtare në tregtinë e ndërsjellë. Punimet e samitit zhvillohen në një sfond paqëndrueshmërie globale.
Marjana Doda: Peizazhi gjeopolitik nuk është aspak në favorin e zhvillimeve ndërkombëtare, por njëkohësisht në aspektin ekonomik jemi tashmë në një revolucion teknologjik, që është një nga shtyllat kryesore të samitit të BRICS+. Statistikat që ju përmendët kanë ngjallur interesin e vendeve të ndryshme për t’u anëtarësuar në këtë grupim. Pamë në fillim të këtij viti disa vende që u bënë anëtare “de jure” të grupimit, por ka dhe vende të tjera që kanë shprehur interesin për t’iu bashkuar grupimit dhe kjo ndoshta do të ndodhë gjatë këtij samiti. Ndër to janë Bjellorusia, Pakistani, Azerbajxhani, por është vërejtur dhe interesi i Turqisë, një vend me ndikim të rëndësishëm jo vetëm në Mesdhe por dhe në Lindjen e Mesme, ku shërben si një portë kryesore mes Europës dhe Lindjes së Mesme.
CMG: Grupimi BRICS ka institucionet e veta të rëndësishme që duket sikur dublojnë institucionet financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar. Gjykoni se në këtë aktualitet ku vendet në zhvillim kanë arritur nivele të larta sepse flasim për Kinën, Indinë ato kanë nevojë për këtë përfaqësim, duke mos krijuar rivalitet me institucione të tjera globale.
Marjana Doda: Jama kundër monopolizimeve, ndaj në këtë aspekt nuk e shikoj këtë grupim si një alternative, apo një mbivendosje e institucioneve aktuale botërore, sepse tashmë ato janë të konsoliduara dhe e kanë treguar rëndësinë e tyre. Ndaj institucione të tilla të reja e ndihmojnë ecurinë në këtë rast të vendeve në zhvillim dhe nuk e shoh si një mbivendosje apo rivalitet. Madje në gjendjen aktuale të ekonomisë globale këto institucione thjesht do ta ndihmojnë atë dhe Banka Botërore apo institucione të tjera të këtij niveli duhet të ishin përkrahëse të nismave të grupimit BRICS, i cili përfaqëson një grupim të madh edhe të popullsisë botërore.
Mendoj se ky mekanizëm është ndihmues dhe lehtësues për institucione të ekonomisë apo sigurisë.
CMG: Vetë vendet anëtare të BRICS në deklaratat zyrtare kanë theksuar se po krijojnë disa mekanizma inovativë, plotësues, që funksionojnë brenda kuadrit të balancuar gjithëpërfshirës dhe ky shihet si një vizion bashkëpunues prej tyre dhe jo si rivalitet.
Marjana Doda: Interesant në këtë grupim është diversiteti i tij, për faktin se ka vende anëtare nga Afrika e Jugut, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe e të tjerë duke i bërë të ndjehen të gjithëpërfshirë dhe të barabartë në të. Ato nuk mund të jenë të barabartë në aspektin e investimeve.
Takimi i liderëve të BRICS (Foto Xinhua)
CMG: Në stadin e zhvillimit ekonomik nuk mund të jenë të barabarta nëse kemi parasysh kontributin e Kinës, si vendi i dytë ekonomik në botë.
Marjana Doda: Sigurisht, madje Kina ka rolin kryesor për të investuar dhe për t’i ndihmuar këto vende, por përfitimi i këtyre vendeve në këtë grupim është “win win”.
CMG: Në BRICS ka patur një gamë të gjerë iniciativash dhe partneritetesh në fusha të ndryshme si energjia, shëndeti, zhvillimi i qëndrueshëm. Ndërkohë teknologjia ka krijuar shumë mundësi për individët në botë por dhe për grupimet gjeopolitike, duke iu vënë detyra shumë të rëndësishme përpara për të mbajtur të njejtin hap me zhvillimin teknologjik. Në grupim Kina është një lojtar dominues dhe nëse i referohemi shifrave, pa të cilat nuk mund të krijojmë opinione, është përgjegjëse për 70 për qind të PBB-së të grupimit. Ndërkohë nivelet e të ardhurave të vendeve anëtare të BRICS-it janë të ndryshme, për shembull duke rezultuar në një marrëveshje qendrore në të cilën mbizotërojnë lidhjet dypalëshe të katër vendeve të tjera me Kinën. Nivelet e tyre të të ardhurave gjithashtu ndryshojnë ndjeshëm. PBB-ja për frymë e Indisë (2,389 dollarë), për shembull, është më pak se një e pesta e Kinës (12,720 dollarë). Pavarësisht diferencave, cili është opinion juaj për vendet e reja anëtare të BRICS?
Marjana Doda: Së pari do të ndalem te Kina, si fuqia më e madhe politike e këtij grupimi, por mbi të gjitha duhen vlerësuar iniciativat ekonomike që ka ndërmarrë Kina gjatë këtij 10 vjeçari janë demonstruar në bashkëpunim me vendet e tjera të grupimit. Mendoj se pjesa më e madhe e këtij samiti do t’i dedikohet vendeve të reja anëtare të këtij grupimi, jo vetëm sa i përket situatës ekonomike, por dhe të sigurisë globale, si edhe revolucioni teknologjik, inteligjenca artificiale dhe klima. Duke qenë se në vendet e reja anëtare bëjnë pjesë Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin, duhet të mos harrojmë se po përjetojnë një situate tejet të vështirë në aspektin e sigurisë, që nuk mund të shkëputet nga aspekti ekonomik.
BRICS Samiti (Foto Only IAS)
CMG: Në prag të Samitit të BRICS+, në deklaratën e diplomacisë kineze lidhur me pjesmarrjen e kreut të shtetit Xi në këtë event ndërkombëtar thuhet se “Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të siguruar përparimin e qëndrueshëm të bashkëpunimit të BRICS, hapjen e një epoke të re uniteti dhe vetë-përmirësimi për Jugun Global dhe së bashku për të promovuar paqen dhe zhvillimin botëror”. Si e vlerësoni rolin e Kinës në këtë grupim, duke patur parasysh që është vendi më i fuqishëm ekonomik i tij, por dhe prodhues i nismave me ndikim global?
Marjana Doda: Vitin e fundit Kina ka treguar peshën dhe rolin e saj të rëndësishëm në aspektin ekonomik, por dhe diplomatik dhe në këtë grupim ka marrë peshën kryesore për të qenë një udhëzues i bashkëpunimit shumëpalësh që e quajmë multilateralizëm. Presidenti i Kinës po merr pjesë në Samit dhe besoj se deri në fund të punimeve Kina do të prezantojë dhe iniciativa të reja dhe mendoj se ka vemendje ndaj samitit edhe për vetë aktualitetin e sigurisë në botë, që rrezikohet nga konfliktet, të zhvillimit ekonomik, teknologjik, të inteligjencës artificiale. Besoj se në samitin e BRICS-it do të ketë iniciativa në aspektin ekonomik dhe të sigurisë aq më tepër nëse i referohemi dy konflikteve të ashpra në horizontin gjeopolitik botëror siç është ai Rusi-Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, duke shpresuar për një plan paqeje,sepse është me shumë rëndësi gjetja e një alternative paqeje.
Intervistoi Eda Merepeza