Rama-von der Leyen (Foto Rtsh)
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, priti me një ceremoni zyrtare presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila po viziton Tiranën në kuadër të turit të saj ballkanik.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimi dypalësh, kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria do të jetë gati për të marrë përsipër mijëra detyra që BE-ja do t’i japë vendit për t’u përafruar me anëtarësimin e plotë.
Sipas tij, qasja e Shqipërisë do të vijojë të mbetet në një linjë me të BE-së tani që vendi ka hapur kapitujt e parë për negocim.
“Në këtë rrugë të përbashkët jemi të linjëzuar 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. E gjithë kjo qasje e Shqipërisë vetëm do të forcohet, duke dëshmuar jo vetëm aftësi për realizimin e të gjitha detyrave që kanë të bëjnë me anëtarësimin, por edhe qëndrueshmëri në aspektin e afirmimit të parimeve dhe vlerave që bashkojnë këtë komunitet vendesh e popujsh”,- deklaroi kryeministri Rama.
Von der Leyen shprehu kënaqësi për përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin europian, që javën e shkuar u finalizua me hapjen e kapitujve për negociatat, një sukses që vjen si rrjedhojë e viteve të shumta të punës dhe përkushtimit me këtë objektiv të përbashkët.
“Zgjerimi është përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm. Ka të bëjë me Planin tonë të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor. Ka një vit qëkur ka nisur puna dhe shumica e kanë gati agjendën e reformave. Ju dhe ekipi keni bërë në punë të shkëlqyer për agjendën e reformave. Për Shqipërinë janë mbi 920 milionë euro nga Plani i Rritjes”,- tha von der Leyen.
Ajo vuri në dukje se investimet e BE-së ndaj Shqipërisë vijnë pasi vendi ka bërë reformat e duhura.
“Tani duhet të fillojmë me parafinancimin prej 64 milionë eurosh deri në fund të vitit. Cilësia e planit të reformave është e mirë, kështu që edhe këtë vizion e kemi të qartë.
Jeni në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e zonës unike të pagesave në euro që prej vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë që transfertat në para ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe falas. Një përfitim si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset”,- tha von der Leyen.
Von der Leyen theksoi se javën e ardhshme Komisioni Europian do të publikojë progresraportin për zgjerimin, ku Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera.