Banka Botërore: Shqipëria ka pak njerëz të shkolluar dhe emigrim të lartë të trurit
2024-10-24 18:06:17

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një krahasim i Bankës Botërore për vendet e rajonit ECA (për 19 vende në zhvillim nga Azia Qendrore, Europa Qendrore, Kaukazi dhe Ballkani, ku përfshihet edhe Shqipëria) tregoi se vendet që kanë një përqindje të vogël të popullsisë me arsim të lartë kanë edhe emigrimin më të lartë të trurit.

Sipas analizës, Shqipëria ka rreth 13% të popullsisë me arsim të lartë në një kohë që 45 për qind e tyre kanë emigruar, shkruan “Panorama”.

Një pjesë gjithashtu e madhe e të diplomuarve me arsim të mesëm emigrojnë për të ndjekur studimet e larta jashtë vendit.

Nga 151.274 individë të moshës 20-24 vjeç që emigruan në Bashkimin Europian nga vendet e ECA-s në vitin 2022, rreth 25.967 (17.2 për qind) e bënë këtë për t’u arsimuar.

Banka Botërore thekson se disa ka faktorë që mbështesin emigrimin e punëtorëve me kualifikim të lartë.

Faktorët tërheqës përfshijnë afërsinë e vendeve me Bashkimin Europian, ku kërkesa për fuqi punëtore të kualifikuar është e fortë. Ndërsa faktorët shtytës përfshijnë mundësi të kufizuara pune për disa profesione të specializuara në vendet e origjinës.

Banka Botërore sugjeron se rritja e konkurrencës së pagave dhe produktivitetit në profesionet e rrezikuara me aftësi të larta mund ndihmojnë në dobësimin e stimujve për të emigruar.

Vendet e vogla, si Shqipëria, mund të përqendrohen në zhvillimin e sektorëve të veçantë, si kujdesi personal dhe ai shëndetësor dhe shërbime për turistët, të cilat mund të ndikojnë në frenimin e të arsimuarve.