Greqia në gatishmëri pas shpërthimit të lisë së dhenve
2024-10-24 17:55:57

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Greqia do të zbatojë një sërë masash për të frenuar përhapjen e lisë së dhenve, pas një shpërthimi të sëmundjes në disa pjesë të vendit, njoftoi Ministria greke e Zhvillimit Bujqësor dhe Ushqimit. 

Gjithsej 17.500 kafshë tashmë janë asgjësuar pas konfirmimit të rasteve në 104 ferma në të gjithë vendin këtë vjeshtë, sipas një njoftimi për shtyp të ministrisë, cituar nga “Xinhua”.

Një ndalim mbarëkombëtar i transportit të dhenve ka hyrë në fuqi për 10 ditë si një hap parandalues. Thertoret po ashtu do të qëndrojnë të mbyllura për 10 ditë dhe ekspertët do të kryejnë teste në zonat e mbikqyrjes përreth fermave ku janë identifikuar raste pozitive.

“Masat janë të nevojshme për të adresuar çështjen, si në rastin e murtajës së ripërtypësve të vegjël që u përballëm këtë verë”,- tha ministri grek i Zhvillimit Bujqësor dhe Ushqimit, Kostas Tsiaras.

Ministria mbështet mbarështuesit e kafshëve të prekura me 150 deri në 500 euro për çdo kafshë të vrarë.