Financë (Foto ATSH)
Hyn në fuqi marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj zvicerane, që synon forcimin e menaxhimit të financave publike në nivel vendor në Shqipëri. Marrëveshja mbështet fazën e dytë të projektit për ofrimin e asistencës teknike për forcimin e menaxhimit të financave publike në nivel vendor në Shqipëri dhe parashikon një fond prej 4.5 milionë eurosh për periudhën 2024-2028, në funksion të vazhdimit të zbatimit të projektit në fjalë, shkruan “ATSH”.
Marrëveshja është firmosur midis Ministrisë së Financave të Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri Petrit Malaj dhe Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës, përfaqësuar nga ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber. Projekti ka si qëllim të përmirësojë planifikimin strategjik dhe menaxhimin e përgjithshëm të buxheteve në 61 bashki shqiptare, duke fuqizuar sistemet dhe proceset e menaxhimit financiar dhe duke rritur të ardhurat vendore të bashkive.
Në fazën e dytë, Zvicra do të kontribuojë me një shumë prej 4.49 milionë frangash zvicerane, duke ofruar asistencë teknike për përmirësimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, auditimit të brendshëm dhe raportimit financiar në nivel lokal. Marrëveshja do të zgjasë deri në vitin 2029 dhe pritet të sjellë rezultate të rëndësishme në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike në bashkitë e vendit.
Zbatimi i saj garanton rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore. Faza e parë e zbatimit të projektit ka mbështetur bashkitë në disa aspekte, ndërsa faza e dytë ka si objektiva kryesorë përmirësimin e planifikimit strategjik dhe menaxhimit të përgjithshëm, fuqizimin e sistemeve të menaxhimit të të ardhurave vendore, me qëllim rritjen e tyre.