Antony Blinken (Foto RTSH)
Diplomati i lartë amerikan, Antony Blinken, u tha gazetarëve në Tel Aviv se lufta në Gaza duhet të përfundojë tani, duke shtuar se Izraeli duhet të bënte më shumë për të lejuar hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza, pavarësisht progresit të bërë deri tani.
“Që nga 7 tetori i një viti më parë, Izraeli ka arritur shumicën e objektivave të tij strategjike në Gaza. Tani është koha për t'i kthyer ato arritje në sukses të qëndrueshëm dhe strategjik”,- tha Blinken, ndërsa largohej nga Izraeli, pas takimeve me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë, citon “RTSH”.
Në lidhje me ndihmën për Gazën, Blinken tha se SHBA-ja ka parë përparim me hyrjen e ndihmave në Gaza, por duhet të bëhet më shumë dhe ky përparim duhet të jetë i qëndrueshëm.
Lidhur me paralajmërimin e Izraelit për t'u hakmarrë për sulmin raketor të Iranit më 1 tetor, kryediplomati amerikan tha: “Është shumë e rëndësishme që Izraeli të përgjigjet në mënyrë që të mos krijojë përshkallëzim më të madh në Lindjen e Mesme”.
Përpjekjet e mëparshme të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të frenuar pasojat rajonale kanë dështuar, siç ka dështuar një përpjekje e udhëhequr nga presidenti Joe Biden dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron për të siguruar një armëpushim të përkohshëm në Liban.