Foto nga VCG
Eksportet bujqësore vijuan trendin e rritjes së qëndrueshme.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se eksportet bujqësore shënuan 31% rritje në sasi gjatë shtatorit 2024 krahasuar me një vit më parë, citon “ATSH”.
Në shtator të këtij viti u realizuan 23.619 tonë eksporte, nga 18.034 tonë shtatorin e një viti më parë.
Denaj tha se produktet bujqësore “Made in Albania” po rrisin praninë e tyre në mënyrë të qëndrueshme drejt tregjeve të huaja.
Sipas saj, shifrat në trend pozitiv tregojnë një pasqyrë të qartë të rritjes së cilësisë dhe fuqizimit të fermerëve në vend.
Politikat mbështetëse kanë rritur investimet në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të produkteve shqiptare që po rrisin prezencën e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare.
Klima e favorshme, afërsia me tregjet europiane, mundësia për mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara, si dhe fuqia punëtore me kosto të ulët, e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial premtues në disa sektorë, por veçanërisht në bujqësi.
Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajrat esenciale, shalqinj, fruta, peshk të konservuar etj.