Korçë, Peleshi: Rritja e pensioneve si prioritet kombëtar për Shqipërinë 2030
2024-10-24 15:42:28

Selia e PS-së (Foto RTSH)

Qeveria shqiptare ka nisur një diskutim të gjerë publik me pensionistët për të adresuar një detyrim të kahershëm dhe një kërkesë legjitime për reformimin e skemës së pensioneve. Në këtë kuadër, drejtuesi politik i Qarkut të Korçës, Niko Peleshi, gjatë një takimi me pensionistët korçarë, theksoi se rritja e pensioneve nuk është më çështje indeksimi, por një reformë thelbësore që do të shfrytëzojë mundësitë që krijon rritja e ekonomisë për të gjithë shoqërinë, citon “RTSH”.

Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, dhe kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, Peleshi theksoi se qeveria po shqyrton një rritje substanciale të bonuseve të fundvitit, për të lehtësuar barrën financiare të përditshme të pensionistëve, duke përfituar nga rritja ekonomike e vendit. Ai përmendi se synimi kryesor është një skemë pensioni e qëndrueshme, që do garantojë në vazhdimësi pensione më të larta.

Peleshi theksoi se pensionistët nuk mund të mbeten të përjashtuar nga përfitimet e rritjes ekonomike dhe reformat që kanë transformuar vendin.

“Ne kemi dyfishuar vëllimin e ekonomisë kombëtare, nga 12.7 miliardë euro në më shumë se 25 miliardë euro dhe kjo na ka dhënë mundësinë që të bëjmë investime të mëdha dhe të përmirësojmë pagat e administratës publike. Është koha që edhe pensionistët të marrin atë që u takon”,- tha Peleshi.