FRONTEX: Bie numri i emigrantëve të parregullt drejt BE-së përmes rrugëve të Ballkanit Perëndimor
2024-10-24 18:00:03

Foto nga VCG

Foto nga VCG

E ashtuquajtura Rruga e Ballkanit Perëndimor, që përfshin edhe Shqipërinë, këtë vit shënoi uljen më të madhe në kalimet e emigrantëve të parregullt, krahasuar me të gjitha rrugët e tjera kryesore të emigrimit drejt Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (FRONTEX), në nëntë muajt e këtij viti janë regjistruar rreth 17 mijë raste të emigrimit të parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor, një rënie prej 79% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan “Panorama”.

Pjesa më e madhe e emigrantëve të parregullt të evidentuar kanë qenë nga Siria, Turqia dhe Afganistani.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas FRONTEX, edhe numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Europian nga të gjitha rrugët e emigrimit të parregullt ra me 42%, në rreth 166 mijë raste në nëntë muajt e parë të këtij viti.

Rruga e Mesdheut Qendror regjistroi një rënie prej 64% në kalimet e parregullta kufitare, ndërsa kufiri tokësor lindor dhe rruga përmes Afrikës Perëndimore panë rritjet më të larta, përkatësisht me 192% dhe 100% të kalimeve të emigrantëve të parregullt drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tre vendet kryesore të origjinës së emigrantëve të parregullt që kanë synuar vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të FRONTEX, janë Siria, Mali dhe Ukraina.