Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky/VCG
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pret progres drejt një ftese për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s, pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në fillim të nëntorit.
“Jo për shkak të ndryshimit të presidentit, por sepse SHBA-ja tani po fokusohet në zgjedhje”,- tha Zelensky, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve “Interfax-Ukraine”, citon “ATSH”.
Zelensky supozoi se SHBA-ja kërkon të shmang rreziqet e panevojshme për momentin dhe për këtë arsye heziton të bëjë deklarata të qarta.
Presidenti ukrainas tha se ai supozon se tashmë ka një konsensus të gjerë që vendi i tij duhet të ftohet për t’u bashkuar me NATO-n dhe ka besim se Franca, Britania e Madhe dhe Italia do ta plotësojnë kërkesën e Kievit. “Për sa i përket reagimit të Gjermanisë, situata varet në shumë mënyra nga SHBA-ja”,- tha Zelensky.
“Një pozicion i koordinuar midis Uashingtonit dhe Berlinit për pranimin e Ukrainës mund të bindë gjithashtu skeptikët si Hungaria dhe Sllovakia. Ne të gjithë duhet të punojmë shumë me palën gjermane. Por SHBA-ja do të ishte faktori vendimtar”,- tha Zelensky.