Foto nga VCG
Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Ahmed Abul Gheit, shpreson për një armëpushim të menjëhershëm në Liban që do t’i japë fund sprovës së njerëzve, shkruan “ATSH”.
“Ne nuk do të presim shumë për të arritur pikën e dëshiruar të kthesës, sepse situata është e rrezikshme”,- u tha Abul Gheit gazetarëve pas takimit me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Libanit, Nabih Berri.
Zyrtari i Lidhjes Arabe kritikoi gjithashtu dështimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndërmarrë veprime kundër sulmit të Izraelit ndaj forcave paqeruajtëse dhe posteve të OKB-së në Libanin jugor.
Ai bëri thirrje për zbatimin e menjëhershëm të Rezolutës 1701 të Kombeve të Bashkuara, e cila ndalon praninë e milicisë libaneze të Hezbollahut në zonën kufitare me Izraelin dhe i jep autoritet ekskluziv ushtrisë libaneze dhe Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) në jug të lumit Litani.
Misioni i Kombeve të Bashkuara monitoron zonën kufitare midis Libanit dhe Izraelit. Më shumë se 10.000 trupa të OKB-së nga mbi 50 vende janë të përfshira.