Ministri Gonxhja: Borxhi i kompanive ndaj sigurimeve shoqërore, 100 milionë euro
2024-10-23 17:30:46

Ministri Gonxhja (Foto Panorama)

Ministri Gonxhja (Foto Panorama)

Ministri i i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se qeveria po punon për një strategji për të luftuar informalitetin në tregun e punës, ku parashikohen edhe incentiva për bizneset që formalizojnë punonjësit.

Gjatë një takimi ndërgjegjësues me sipërmarrës dhe drejtues sipërmarrjesh, në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, ministri Gonxhja tha se ndërhyrja për formalizimin e tregut të punës është një domosdoshmëri për financat e skemës së pensioneve, citon “ATSH”.

“Formaliteti është kthyer në një plagë në shoqërinë tonë që lidhet me mentalitetin, kulturën e punës dhe tregun e punës, por që ka të bëjë edhe me aspektin njerëzor. Kemi mijëra individë, kontributet e të cilëve janë deklaruar në tatime, por që nuk rezulton të jenë derdhur në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ky borxh ndaj ISSH-së llogaritet rreth 100 milionë euro. Mes debitorëve ka edhe ndërmarrje shtetërore. Po merremi me seriozitet për t’i dhënë fund këtij borxhi”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se janë edhe një numër i madh subjektesh debitore në financat e ISSH-së, që kanë ndikim edhe në jetët e të gjithë këtyre individëve që do të trokasin në dyert e ISSH-së në ditën e daljes në pension. Sipas kreut të MEKI-t, problem është edhe pagesa me para në dorë. Ministri shtroi nevojën e një fushate ndërgjegjësuese, pasi sipas tij, gjobat dhe masat ndëshkuese nga strukturat tatimore nuk mund të jenë e vetmja armë për të luftuar këtë plagë, këtë mosfunksionim të rregullave brenda tregut të punës.