Fëmijë në Deir el-Balah të Gazës Qendrore, 22 tetor 2024/VCG
Kreu i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë, UNRWA, Philippe Lazzarini, deklaroi se Izraeli po vazhdon të parandalojë misionet humanitare që të arrijnë në Gazën veriore, përfshirë ushqime dhe ilaçe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përcjellë nga “RTSH”, ai tha se spitalet janë goditur dhe kanë mbetur pa energji, ndërsa të lënduarit pa kujdes.
Lazzarini theksoi se strehimoret e mbetura të UNRWA-së ishin aq të mbipopulluara sa njerëzit e zhvendosur ishin të detyruar të jetonin në tualete, ndërsa citoi raporte se njerëzit që përpiqeshin të iknin po vriteshin.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, OCHA, bëri të ditur se u kishte kërkuar autoriteteve izraelite të hynin në zonën Falouja të Jabalia, por ishte refuzuar.
Ndërkohë, Stephanie Eller, përfaqësues i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili së fundi vizitoi qytetin e Gazës, tha se vuajtjet për rreth 400.000 njerëz në veri ishin të paimagjinueshme.
“Urdhrat e luftimeve të ashpra dhe evakuimi po i copëtojnë komunitetet. Ndërsa disa janë të dëshpëruar për t'u larguar, shumë, veçanërisht të moshuarit, të sëmurët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, nuk janë në gjendje të largohen”,- tha Eller.
Ushtria izraelite ka intensifikuar një ofensivë njëjavore në pjesë të Gazës veriore, ku sipas saj luftëtarë të Hamasit janë rigrupuar atje.
Të hënën, banorët dhe mjekët thanë se forcat izraelite po rrethonin spitalet dhe strehimoret për njerëzit e zhvendosur.
Ndërsa Ushtria izraelite bëri të ditur se po lehtësonte evakuimin e civilëve dhe po siguronte që spitalet të mbeteshin funksionale, ndërsa vazhdonte operacionin kundër terroristëve dhe infrastrukturës terroriste.