I dërguari i SHBA-së në Liban, Amos Hochstein/VCG
I dërguari i SHBA-së në Liban, Amos Hochstein, ka deklaruar se lufta në Lindjen e Mesme ka dalë jashtë kontrollit.
Në bisedimet e zhvilluara me zyrtarët libanezë në Bejrut, mbi kushtet për një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut, ai ka theksuar se përshkallëzimi i konfliktit ka dalë jashtë binarëve, shkruan “RTSH”.
Ai tha se nuk është e mjaftueshme që të dyja palët të angazhohen për rezolutën 1701 të OKB-së, e cila i dha fund konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006 dhe që bën thirrje që Libani jugor të jetë i lirë nga çdo trupë e armatosur, përveç atyre të shtetin libanez.
Sipas Hochsteinit, as Hezbollahu dhe as Izraeli nuk e kishin zbatuar siç duhet rezolutën dhe se ndërkohë që ajo do të ishte baza për përfundimin e armiqësive aktuale, SHBA-ja po kërkonte të përcaktonte se çfarë duhej bërë më shumë për t'u siguruar që ajo të zbatohej në mënyrë të drejtë, të saktë dhe transparente.
“Ne po punojmë me autoritetet në Liban dhe Izrael për të arritur në një formulë që i jep fund këtij konflikti njëherë e përgjithmonë”,- tha ai.
Pas takimit me kryetarin e Parlamentit libanez, Nabih Berri, një aleat i ngushtë i Hezbollahut, i cili është angazhuar në përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit, Hochstein tha se SHBA-ja do t'i japë fund këtij konflikti sa më shpejt të jetë e mundur.