Shumica e fondeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor do të përdoren për infrastrukturën
2024-10-23 11:40:30

BE per Ballkanin Perendimor (Foto Atsh)

Të paktën gjysma e fondeve të përgjithshme nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbështesin investimet në infrastrukturë dhe lidhjen, duke përfshirë transportin, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital, bëri të ditur Komisioni Europian, duke theksuar se pjesa e mbetur e kredive do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare, citon “ATSH”.

Fondet e para nga ky instrument financiar pritet të dalin së shpejti, pasi Komisioni Europian të miratojë zyrtarisht Agjendat e Reformave të paraqitura nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, dhe Kosova.

Nga ana tjetër, është e pasigurt nëse Bosnjë-Hercegovina do t’i marrë paratë në të njëjtën kohë, sepse ky vend është vonuar me miratimin e Agjendës së Reformave.

BE-ja synon të ndajë 7 për qind të totalit të fondeve nga Plani i Rritjes për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor që miratojnë Agjendat e Reformave të vlefshme, si parafinancim. Ky mjet, që mbulon periudhën 2024-2027, është një mekanizëm financiar i BE-së me vlerë 6 miliardë euro, i miratuar me synimin për të dyfishuar rritjen ekonomike të rajonit në 10 vitet e ardhshme.

Nga shuma totale, 2 miliardë euro do të shpërndahen si grante dhe pjesa e mbetur, 4 miliardë euro, në formë kredie me interesa të favorshme.

Përllogaritet se Serbia do të marrë 1.58 miliardë euro, Bosnjë-Hercegovina 969 milionë, Shqipëria 922 milionë, Kosova 888 milionë, Maqedonia e Veriut 807 milionë dhe Mali i Zi 383.5 milionë euro.

Sipas KE-së, reformat ndahen në hapa sasiorë dhe cilësorë, të cilët do të shërbejnë si kushte pagese dhe çdo hap ka një afat kohor zbatimi.

Komisioni thekson se KE-ja mund të zvogëlojë ose rikuperojë shuma nëse preken interesat financiare të BE-së, ose nëse përfituesit kanë shkelur seriozisht një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e lidhura në kuadër të lehtësimit.