Qeveria italiane miraton dekretin që zgjidh ngërçin për marrëveshjen për emigrantët me Shqipërinë
2024-10-23 11:43:38

Meloni (Foto Rtsh)

Qeveria italiane e ka zgjidhur me dekret çështjen e emigrantëve nga vendet e sigurta, që u bë shkak javën e kaluar për kthimin e 12 azilkërkuesve nga Shqipëria në Itali, pasi qëndrimi i tyre binte ndesh me marrëveshjen e firmosur nga dy vendet, shkruan “RTSH”.

Dekreti parashikon që vendet e sigurta nuk do të trajtohen më si një koncept i dorës së dytë, por rregulli do të merret parasysh për riatdhesimin e emigrantëve nëse ata nuk kalojnë në sitën e autoriteteve për azilantët.

Gjykata e Romës vlerësoi javën e kaluar se emigrantët e vendosur në Gjadër të Shqipërisë nuk e plotësonin kushtin bazuar në një verdikt edhe të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, pasi ata po trajtoheshin në Shqipëri duke qenë të ardhur nga vende jo të sigurta, si Bangladeshi apo Egjipti.

“Këtë dekret e bëjmë burim parësor për radhitjen e 19 vendeve të sigurta nga 22 që ishin në fillim. Kemi marrë parasysh edhe integritetin territorial dhe kemi përjashtuar Kamerunin, Kolumbinë dhe Nigerinë”, deklaroi ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantendosi.

Sipas tij, dekreti i paraprin një norme që Bashkimi Europian pritet ta vendosë në fuqi në qershor 2026, që mendohet të jetë edhe më e ashpër.

Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, shpjegoi se është arritur në këtë pikë pas vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që nuk është kuptuar mirë.

“Me fjalë të tjera, ky vendim, përveçse përsërit parimin e përmbushur nga shtetet individuale se cilat quhen vende të sigurta, parashtron edhe kushte në momentin kur një gjykatës jep përcaktimin e një vendi të sigurt në varësi të situatës së personit të caktuar. Thelbi i këtij vendimi është që gjyqtari, në momentin kur shprehet, duhet të thotë në mënyrë shteruese dhe të plotë se për cilat arsye një individ përcaktohet se vjen nga një vend i caktuar që është i pasigurt”,- tha ai.

Më 13 tetor, autoritetet italiane shpëtuan 85 emigrantë që po tentonin të kalonin kufirin nëpërmjet rrugëve detare. 16 prej tyre u nisën drejt Shqipërisë, nga të cilët 2 u kthyen me të mbërritur në Shëngjin për shkak të moshës së mitur. Dy persona të tjerë rezultuan po ashtu vulnerabël.

12 emigrantët e mbetur arritën të kalonin verifikimet paraprake, por të shtunën u nisën sërish me anije drejt portit të Barit pas vendimit të Gjykatës së Romës.