
Koleksionet veneciane (Foto Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë Facebook)
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, çelën ekspozitën “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”, një ndër më të mëdhatë e më të rëndësishmet organizuar nga BKSH-ja.
Rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800, janë pjesë e kësaj ekspozite. Shumica prej tyre shfaqen për herë të parë në publik, shkruan “ATSH”.
Ekspozita ndahet në disa seksione, që i kushtohen historisë së Venecias, historisë së Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe librave që kanë për temë raportet e Venedikut me Orientin, ku një vend të dukshëm zënë luftërat kundër Perandorisë Osmane, vepra të cilat mund të shërbejnë si një burim i jashtëzakonshëm informacioni për historinë e shqiptarëve.
Venecianët njihen si udhëtarë e gjeografë, ndaj një seksion i veçantë i kushtohet kësaj teme. Dy seksionet e fundit i janë kushtuar botimeve që lidhen me shkencën, letërsinë dhe fenë.
Ekspozita mbyllet me një hapësirë kushtuar botimeve më të reja kushtuar raporteve historike të shqiptarëve me Venecian.
Ekspozita vjen nën kujdesin e kuratores shkencore Elisabetta Sciarra, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Europë.
