Kryeministri Rama: Sipërmarrjet të deklarojnë pagat reale ose do të ndiqen penalisht
2024-10-23 11:47:37

Kryeministri Rama (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama u ka bërë thirrje sipërmarrjeve në vend që të deklarojnë pagat reale, duke i paralajmëruar për masa deri në ndjekje penale.

Në një takim me bizneset, Rama e konsideroi grabitje ndaj pensionistëve nëndeklarimin e pagave, teksa theksoi se pret një përmirësim të shpejtë të këtij problemi, citon “RTSH”.

“Çdo qindarkë të çdo pagese për çdo person që u takon pensionistëve, t’i shkojë pensionistëve. Ky detyrim në sektorin publik është i përmbushur sepse nuk varet nga sjellja e personit që paguhet, nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat. Kemi një problem të madh, pavarësisht të gjitha përmirësimeve që janë bërë, një problem shumë i madh që jemi të vendosur ta adresojmë dhe mos të presim përmirësimin gradual, por të kërkojmë një përmirësim të shpejtë”, - tha Rama.

Ai u kërkoi bizneseve që të bashkëpunojnë për të krijuar një front të përbashkët për t’i dhënë fund këtij fenomeni, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikojnë penalitete.

“Kjo është grabitje. Është fjalë shumë e rëndë, është një sjellje që ka marrë statusin e vijës së sjelljes në shumë biznese me një mungesë përgjegjshmërie. Duam të përcjellim këtë shqetësim dhe ftesë për të krijuar një front të përbashkët për këtë çështje ”, - tha Rama.