Von der Leyen (Foto Atsh)
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përgëzoi Moldavinë dhe presidenten e këtij vendi, Maia Sandu, për votimin pro në referendumin e të dielës për anëtarësim në Bashkimin Europian, shkruan “ATSH”.
“Moldavia dëshmoi se është e pavarur, e fortë dhe dëshiron një të ardhme europiane”,- shkroi von der Leyen në një postim në platformën “X”.
Ish-republika sovjetike votoi me një shumicë të vogël për të përfshirë një kurs pro BE në Kushtetutë, megjithëse rezultati nuk është përfundimtar.
Referendumi po monitorohet nga afër në Bruksel, por shpresat për një shumicë të fortë në favor të BE-së, e cila premtoi 1.8 miliardë euro (1.9 miliardë dollarë) ndihmë ekonomike për Moldavinë këtë muaj, janë shuar.
Komisioni Zgjedhor në Moldavi bëri të ditur se në referendum u votua me 50.46% pro për të përfshirë një kurs pro Bashkimit Europian në Kushtetutën e vendit.